Lidhje

Kosovë, trupa shtesë të NATO-s në prag të hyrjes në fuqi të Kushtetutës


Rreth 200 trupa britanike arritën të premten në Kosovë në kuadër të operacioneve të NATO-s për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt në vend gjatë periudhës kur pritet hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës. Gjatë ditëve të ardhshme pritet të arrijë edhe pjesa tjetër e 600 trupave britanike që do t’u bashkohen rreth 16 mijë trupave të KFOR-it, që aktualisht ndodhen në Kosovë.

Trupat shtesë, që do të qëndrojnë deri në fund të muajit qershor, do të jenë më të përqendruar në pjesën veriore të Kosovës, skenë e kundërshtimeve të ashpra të pjesëtarëve të komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës.

Më 15 qershor pritet që të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës dhe pas kësaj date, institucionet e vendit duhet të marrin të gjitha përgjegjësitë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara që është dashur të përmbyllë mandatin e tij duke i lënë vendin Misionit të Bashkimit Evropian. Por, fillimi i punës së këtij të fundit është ende i paqartë.

Kundërshtimi i serbëve lokal dhe Beogradit ka bërë që pjesëtarët e këtij misioni të largohen nga veriu i vendit, ndërsa kundërshtimi rus ndaj pavarësisë së Kosovës ka bërë që të mbetet në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Debatet lidhur me praninë civile ndërkombëtare pas 15 qershorit po vazhdojnë, ndërsa edhe zëvendës ndihmës sekretarja amerikane e shtetit Rosemary di Carlo tha se Kombet e Bashkuara do të jenë në Kosovë, ndërkohë që po punohet edhe për fillimin e punës së misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë i njohur me emrin EULEX. “Shtetet e Bashkuara janë duke negociuar për pjesëmarrjen në EULEX. Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të kenë rolin e tyre në Kosovë, por se çfarë do të jetë roli i tyre, varet nga diskutimet që janë duke u zhvilluar", tha zonja di Carlo gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë këtë javë.

Tash për tash edhe vetë drejtuesit e EULEX-it kanë paralajmëruar se fillimi i punës së tyre mund të shtyhet për një kohë, meqë rrethanat në terren nuk lejojnë funksionalizimin e këtij misioni më 15 qershor. Rreth dy mijë policë, gjykatës e prokurorë, në mesin e të cilëve edhe amerikanë pritet të jenë pjesë e këtij misioni që do të ndihmojë institucionet e vendit në fushën e policisë dhe drejtësisë. Shefat e këtij misioni kanë hedhur poshtë çdo ide për hyrje e tyre nën mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Institucionet e vendit ndërkaq shpresojnë se më 15 qershor do të marrin të gjitha përgjegjësitë dhe deri atëherë do të gjendet një zgjidhje për mënjanimin e përplasjeve të mundshme ndërmjet mandateve të pranisë civile ndërkombëtare ne vend. //bsa//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG