Lidhje

Rehabilitimi i ushtarëve amerikanë të plagosur në luftë


Mijëra ushtarë amerikanë të plagosur në Afganistan dhe Irak trajtohen në spitalet ushtarake në Shtetet e Bashkuara. Ata që kanë pësuar djegie dhe ata që janë të stacionuar nëpër baza në perëndim të Lumit Misisipi dërgohen në spitalin ushtarak Bruk të shtetit Teksas. Sapo fillojnë të përmirësohen, ushtarët marrin pjesë në programe rehabilitimi në Qendrën e Heronjve, një ndërtesë 50-milion dollarëshe e ngritur tërësisht me donacione private.

Majori i ushtrisë amerikane Xhejsën Uagoner ka humbur këmbën nga një shpërthim në Irak vitin e kaluar. Tani ai po mësohet të ecë me këmbën e re artificiale, e cila ka shumë funksione si këmba e vërtetë. “Kur eci e gjithë pesha e trupit kalon tek gishtat e këmbës, dhe kjo e bën gjurin të përkulet, ashtu siç ndodh edhe me gjurin e vërtetë të njeriut.”

Uagoner është vetëm një prej qindra ushtarëve të plagosur të cilëve u janë vënë gjymtyrë artificiale dhe që stërviten çdo ditë për ta sjellë trupin e plagosur në formë. “Mund të shohësh rreth e rrotull njerëz që kanë ardhur këtu disa muaj para meje dhe gjërat që kanë arritur. Unë e kam vënë këmbën artificiale vetëm para dy javësh, por marr shembull nga të tjerët për të parë se çfarë mund të arrij.” (

Një nga synimet është përgatitja e këtyre ushtarëve për një jetë të re, qoftë në ushtri apo jashtë saj. Nën koloneli Xhon Majers është komandant i Batalionit të Luftëtarëve në Tranzicion, i cili ndihmon në këtë qendër. “Sjellja, morali dhe shpirti i këtyre të rinjve dhe të rejave është me të vërtetë i mahnitshëm. Ata vazhdojnë t’i ruajnë parimet e ushtrisë gjatë periudhës kalimtare, kur kthehen në komunitetet e tyre si dhe kur punësohen si civilë.”

Forcat e armatosura amerikane i lejojnë luftëtarët e plagosur të vazhdojnë karrierën ushtarake nëse është e mundur. Zoti Uagoner thotë se do t’i duhet të punojë shumë për t’u shëruar dhe kthyer në front. “Dua të vazhdoj të jem në shërbim aktiv. Do të qëndroj aty deri sa të më thonë të largohem. Por pres të kthehem përsëri në Irak dhe Afganistan.”

Qendra e Heronjve ofron këshilla për shëndetin mendor për ata që kanë nevojë. Por menaxherja e programit Rebeka Huper thotë se pacientët ndihmojnë njëri tjetrin. “Kjo nuk do të thotë se çdo ditë shkon mirë, sepse njerëzit nuk ndjehen gjithmonë njëlloj. Por ne u sigurojmë atyre mbështetjen e duhur mjekësore, qoftë përmes një infermieri apo një psikologu. Ne jemi këtu për t’i ndihmuar ata në këto kohë të vështira.”

Zonja Hooper thotë se i ka bërë shumë përshtypje energjia pozitive në këtë spital. “Shumë njerëz na pyesin se si i frymëzojmë pacientët, por për mua ndodh e kundërta, janë pacientët që na frymëzojnë ne.” //bsa//

XS
SM
MD
LG