Lidhje

Vollebek: Grupeve etnike u mungon vullneti të kapërcejnë tensionet


Komisioneri i Lartë për Pakicat Kombëtare në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Knut Vollebek, tha sot se drejtësia në periudhën kalimtare nuk ofron zgjidhje magjike për tejkalimin e të gjitha problemeve të së kaluarës, por komunikimi ndëretnik është ai i cili mund të ndihmojë në pajtimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Në një debat me temën ‘Drejtësia në Tranzicion’, ambasadori Vollebek tha se Kosova vazhdon të mbetet e ndarë në vija etnike dhe me mospajtime për sa i përket të ardhmes.

Ne nuk mund ta mohojmë se Kosova ende vuan nga tensionet ndëretnike, nga mosbesimi ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe shpesh edhe nga mungesa e gatishmërisë për të tejkaluar këto ndarje dhe për të gjetur pika të përbashkëta për zgjidhjen e përbashkët të çështjeve të hapura”.

Ambasadori Vollebek tha se Kosova ndodhet në udhëkryq të ndryshimit dhe të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike.

Për popullatën shumicë, zhvillimet aktuale janë një lloj përmbushjeje e synimeve për shtim të sigurisë dhe për një të ardhme më të ndritshme, por për komunitetet tjera situata e re i rrit dyshimet dhe shqetësimet e tyre për të ardhmen në shoqërinë në Kosovë. Këto shqetësime nuk mund të tejkalohen lehtë apo shpejt, sidoqoftë, duke i injoruar ato, duke i lënë anash, këto vetëm do ta vështirësojnë gjendjen dhe do t’i shtojnë tensionet duke forcuar ndarje etnike të cilat mund të fusin Kosovën në kurthin e mosbesimit, ndarjes dhe dhunës së mundshme”, tha ambasadori i OSBE-së për pakicat.

Zoti Vollebek megjithatë shprehu besimin se autoritetet në Kosovë do të përmbushin zotimet e përfshira edhe në kushtetutë ku thuhet se Kosova është shoqëri shumetnike.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha ndërkaq se në Kosovë ka ende mjaft punë për të vendosur një sistem të drejtësisë sipas standardeve perëndimore, ndërsa vuri theksin në sundimin e ligjit.

Duke vendosur sundimin e plotë të ligjshmërisë, dhe bashkë me të edhe barazinë e të gjitha qytetarëve tanë para ligjshmërisë, pavarësisht dallimeve sociale a etnike, ne i japim fund praktikave të gjata historike të drejtësisë selektive dhe ndikimit të përkatësive grupore në vendimet e drejtësisë”, tha kryeministri Thaçi.

Ambasadori Vollebeak u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovës që të zbatojnë ligjet që kanë të bëjnë me pakicat, duke nënvizuar se të drejtat e komuniteteve janë me rëndësi thelbësore për qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG