Lidhje

Amnesty International thotë se 77 vende mohojnë lirinë e shprehjes


Organizata Amnesty International thotë se në gjithë botën ka një nevojë gjithnjë e më të madhe për drejtësi, por mohimi i të drejtave të njeriut vazhdon të jetë shumë i përhapur.

Në raportin e saj të përvitshëm që doli sot, Amnesty thotë se tortura ende praktikohet në 81 vende, ndërsa 77 vende e mohojnë lirinë e fjalës dhe 54 të tjerë nuk sigurojnë procese gjyqësore të drejta.

Në raport kritikohen edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Po ashtu aty thuhet se Amerika vendos standardet për sjelljen e qeverive në gjithë botën, por se ky standard është rrezikuar nga praktikat e ndjekura në qendrën e ndalimit në Gjirin e Guantanamos në Kubë.

Amnesty International i bëri thirrje presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara që ta mbyllë atë qendër.

Organizata e kritikon Kinën pasi nuk ka lejuar lirinë e shprehjes dhe ka vazhduar programin e “e ri-edukimit të detyruar përmes punës”. Po ashtu në raport thuhet se Kina vazhdon të transferojë armë në Darfur të Sudanit duke shkelur embargon e OKB-së për armët.

Organizata Amnesty International thotë se shumë qeveri kanë dështuar në zbatimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut 60 vjet pas miratimit të saj dhe se për këtë, duhet t’i kërkojnë falje popujve të tyre. Në raportin vjetor mbi të Drejtat e Njeriut, organizata i hedh një vështrim gjendjes së të drejtave të njeriut në 150 vende të botës dhe arrin në përfundimin se shumë prej tyre kanë mangësi.

Miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, thuhet në raportin e organizatës Amnesty International, ishte një veprim i jashtëzakonshëm në fushën e të drejtave të njeriut. Ky veprim u përshëndet me shumë optimizëm pas Luftës së Dytë Botërore.

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara në atë kohë, Eleanor Roosvelt, ishte një prej atyre personave që u shpreh me optimizëm për këtë çështje.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut mund të bëhet shumë mirë Magna Carta ndërkombëtare e të gjithë njerëzve kudo qofshin”.

Amnesty pranon se është bërë përparim përsa i përket përmirësimit të standarteve të të drejtave të njeriut, sistemeve dhe institucioneve në aspektin rajonal dhe ndërkombëtar. Por edhe pse ka patur arritje në këtë fushë, përsëri ka plot raste padrejtësish, pabarazie dhe mosndëshkimesh, thuhet në raport.

Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Amnesty International, Irene Khan, thotë se shumë qeveri kanë dështuar t’u sigurojnë popujve të tyre mbrojtjen e premtuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

“Amnesty po u bën thirrje udhëheqësve botërorë, të kërkojnë falje për 6 dekada dështimi në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe që të tregojnë riangazhim të ri, me masa konkrete për të sjellë ndryshime në këtë fushë”.

Zonja Khan thotë se një nga problemet më shqetësuese është se Shtetet e Bashkuara, krahas me shtete të tjera, që e kanë nënshkruar Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, nuk po i venë në jetë kërkesat e këtij dokumenti.

“Torturat dhe keqtrajtimet po serviren si forma të pranueshme për të siguruar informacione zbulimi nga administrata amerikane. Shtetet e Bashkuara nuk janë i vetmi vend fajtor. Edhe disa vende të Bashkimit Evropian janë bashkëfajtore por asnjë prej tyre, deri tani nuk ka kryer hetime të pavarura, asnjë nuk ka treguar gjithë të vërtetën dhe asnjë nuk ka vënë në zbatim rekomandimet e Këshillit të Evropës për këtë çështje.”

Amnesty i akuzon Shtetet e Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut përmes praktikave të tilla, si ndalimet në fshehtësi dhe marrja në pyetje e njerëzve pa zhvilluar gjyq, në Gjirin e Guantanamos në Kubë dhe në Baghram në Afganistan.

Po ashtu, raporti raporti ve në pikëpyetje çështjen se si Bashkimi Evropian mund të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kinë, apo në Rusi, kur qeveritë e këtyre vendeve janë bashkëfajtore kur është fjala për lejimin e torturave. Evropa kritikohet për kufizimin e të drejtave të refugjatëve dhe personave që kërkojnë strehim politik.

Duke iu referuar fuqive botërore, Amensty thotë se qeveritë e këtyre vendeve jo vetëm që duhet të vëzhgojnë me kujdes kartën e të drejtave të njeriut brenda vendit, por duhet të përdorin ndikimin për të kërkuar zabtimin e tyre edhe në vende të tjera.

Amnesty i bën thirrje Kinës t’i verë në jetë premtimet që ka bërë për çështjen e të drejtave të njeriut para Lojërave Olimpike, të lejojë lirinë e shprehjes dhe t’i japë fund programin të saj për “punë të detyruar për riedukimin”. Rusisë, raporti i bën thirrje të tregojë më tepër tolerancë për disidentët politikë si dhe t’i japë fund shkeljes së të drejtave të njeriut në Çeçeni.

Përsa i përket arritjeve pozitive në fushën e të drejtave të njeriut, Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Amensty International, Irene Khan, thotë se vihet re një shtim i kërkesës popullore për më tepër drejtësi dhe barazi, e cila nuk mund të injorohet nga qeveritë e vendeve të ndryshme. Kjo, sipas zonjës Khan u vu re tek protestat e shumta të njerëzve për të patur një sistem të drejtë ligjor. Edhe Drejtori për Çështje Botërore i Organizatës, Claudio Corodone, theksoi disa arritje poizive, përsa i përket çështje së të drejtave të njeriut.

“Diçka e rëndësishme që duhet theksuar në nivel botëror, është moratoriumi për dënimin me vdekje, një vendim i marrë në Kombet e Bashkuara në fund të vitit të kaluar. Për herë të parë, u mor një vendim, i cili kërkon që dënimi me vdekje të mos zbatohet në asnjë vend të botës dhe kjo ishte rezulat i punës së qeverive në këtë drejtim, të nxitura nga trysnia e shoëqrisë civile”.

Njerëzit, paralajmëroi zonja Khan, po zhvillojnë protesta përherë e më të mëdha me kërkesën për zbatimin e Kartës 60-vjeçare të të Drejtave. Ajo tha se qeveritë që nuk u kushtojnë vëmendje këtyre protestave rrezikojnë qënien e tyre në pushtet.


XS
SM
MD
LG