Lidhje

Ahmeti: Në qeveri të ftohet fituesi


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti thotë se partia e tij ka dhënë prova të jashtëzakonshme se u është shmangur incidenteteve në momentet më të vështira kur janë sulmuar shtabet zgjedhore të partisë dhe eskorta e tij në një fshat të Tetovës.

Zoti Ahmeti mendon se shqiptarët janë shumë të interesuar që të dalin në zgjedhje, ndërkohë që shpreson se të gjithë aktivistët dhe faktorët në zgjedhjet e së dielës do të kontribuojnë për zgjedhje të drejta dhe të lira. Ai thotë se nuk duhet pretenduar që këto do të jenë "zgjedhje skandinave", por një standard i këtillë i duhet Maqedonisë nëse ajo dëshiron të shkojë përpara. "Unë llogaris votat e shqiptarëve dhe fitore është kur fiton votat e elektoratit të bashkësisë tënde etnike, sepse në Maqedoni shiptarët votojnë për partitë shqiptare dhe maqedonasit për partitë maqedonase. Edhe te kampusi maqedonas ka një fitues dhe një humbës. Edhe te shqiptarët ka poashtu një fitues dhe një humbës dhe nëse unë i humb zgjedhjet tek elektorati shqiptar, është akt moral që unë të tërhiqem nga kreu i partisë dhe të zëvendësohem me një njeri i cili di të drejtojë dhe fitojë zgjedhjet. Por, sa i takon përfaqësimit të shqiptarëve në ekzekutivin e Maqedonisë, ne nuk duhet më të na përsëritet viti 2006 që humbësi të përfaqësojë shqiptarët në qeverinë e Maqedonisë."

Zoti Ahmeti është i bindur se kjo gjë nuk do të ndodhë sepse askush, sipas tij, nuk do të lejojë që të bëhen eksperimente me Maqedoninë. "Çmimin e eksperimentit të vitit 2006 e pagoi Maqedonia, e paguan të gjithë qytetarët e Maqedonisë", thotë ai.

Kryetari i BDI-së Ahmeti, lidhur me parapëlqimet e shfaqura kohë më parë të kryeministrit në dorëheqje Nikolla Gruevski se, nëse i fiton zgjedhjet ashtu siç pritet, do të dëshironte përsëri Partinë Demokratike Shqiptare në koalicionin qeveritar, thotë se nuk dëshiron që shqiptarët të ndahen në të preferueshëm dhe të papreferueshëm siç ndodhte më parë me Millosheviçin kur shqiptarët cilësoheshin në të ndershëm dhe të pandreshëm apo me Gligorovin, shqiptarë lojalë dhe jolojalë.

Zoti Ahmeti e quan këtë një deklaratë të ngutshme të zotitGruevski. "Mandatari apo kryeministri i ardhëshëm duhet të jetë edhe i shqiptarëve të Maqedonisë dhe për të qenë i tillë ai duhet të respektojë vullnetin e shumicës së shqiptarëve në Maqedoni", thotë ai duke shtuar se vërtetë ligji nuk e përcakton këtë gjë por nuk e përcakton as domosdoshmërinë që në qeveri të ketë parti shqiptare. Për të pasur një qeveri funskionale, thekson zoti Ahmeti, duhet të respektohet vullneti i shqiptarëve, ndërkohë që nënvizon se nga viti 2001 e këndej janë krijuar rrethana të reja në Maqedoni.

Zoti Ahmeti thekson nevojën e domosdoshme që të kihet konsensus politik dhe etnik. "Si mund të keshë pajtueshmëri nëqoftëse merr në qeveri humbësin? Në vazhdimsi do të prodhosh krizë në vetë Parlamenin dhe qeverinë vendit", thotë drejtuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke shpresuar se këto gjëra nuk do t'i përsëriten Maqedonisë.

Zoti Ahmeti thotë se partia e tij e realizon atë që e premton dhe këtë nuk e bëjnë, sipas tij, kundërshtarët politik të BDI-së. Lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë, Ali Ahmeti është i vetëdijshëm se duhet të kalojë një periudhë e nevojshme kohore deri sa të formohen institucionet shtetërore pas zgjedhjeve të 1 qershorit, ndërsa e quan një çështje që domosdo kërkon zgjidhje: "BDI ka dhënë prova; që në vitin 2003 ne e ndryshuar tërësisht qasjen e Maqedonisë ndaj problemit të Kosovës; Maqedonia doli me qëndirmin se do të përkrahte çdo zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës dhe nuk do t'i pengonte as pavarësia e Kosovës. Tash Maqdonia duhet t'i respektojë deklaratat parimore se do të jetë në një vijë me SHBA-të dhe BE-në në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pres që me konstituimin e organeve të reja shtetërore të bëhet edhe akti i njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo është dëshirë i të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë dhe është në interes të vetë Maqedonisë si për aspektin e fqinjësisë së mirë apo të ekonomisë", thotë z. Ali Ahmeti.

XS
SM
MD
LG