Lidhje

Maqedoni: Një i vdekur, disa të plagosur në zgjedhjet parlamentare


Maqedonia zhvilloi sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u shoqëruan me një vdekje dhe njoftime për kërcënimin e votuesve dhe dyshime për manipulimin e tyre.

Zgjedhjet u ndërprenë në të paktën 15 qendra votimi në Haraçinë pranë kryeqytetit Shkup, pas vrasjes së të paktën një personi dhe plagosjes së disa të tjerëve. Kjo zonë shikohet si një bazë e shqiptarëve të Maqedonisë, që luftuan kundër qeverisë në vitin 2001. Në një incident tjetër, policia tha se një person u plagos në Shkup kur persona të armatosur sulmuan selinë e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ndërsa qendrat e votimit u mbyllën, i dërguari i Bashkimit Evropain në Maqedoni, Ervan For, bëri thirrje për qetësi, duke thënë se incidentet ishin ‘tepër shqetësuese’. Edhe presidenti Branko Cërvenkovski bëri thirrje për qetësi për t’i dhënë kohë vendit që të provojë atë që ai e quajti ‘potencialin demokratik’.

Autoritetet thanë se dhuna u përqëndrua kryesisht në pjesën veri-perëndimore të vendit, e mbizotëruar nga popullsia shqiptare.

Anketat para zgjedhjeve tregonin se partia konservatore e kryeministrit Nikola Gruevski kryeson ndaj partisë Bashkimi Social-Demokrat dhe dy partive rivale shqiptare.

Zoti Gruevski kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve dy vjet para afatit, pak pasi Greqia bllokoi anëtarësimin e Maqedonisë në aleancën e NATO-s në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht. //rd//

XS
SM
MD
LG