Lidhje

Analistët komentojnë mbi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Gjeorgjisë


Gjeorgjia po përballet në të njëjtën kohë me kriza të brendshme dhe të jashtme. Dhjetra mijëra demonstrues nga opozita marshuan në kryeqytetin gjerogjian, Tbilisi, për të protestuar ndaj rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare për të cilat thonë se padrejtësisht, kanë mbajtur anën e partisë në pushtet të Presidentit Mihail Sakashvili. Në të njëjtën kohë, Gjeorgjia po kërkon tani që Rusia të kërkojë falje për rrëzimin e një avioni të saj pa pilot në provincën separatiste të Abkazisë muajin e kaluar, ndërsa Moska mohon të ketë gisht në këtë incident.

Politikat demokratike, apo jodemokratike të Presidentit Sakaashvili, i cili ka studjuar për drejtësi në Shtetet e Bashkuara, janë vëzhguar me kujdes nga analistët politikë, që kur policia gjeorgjiane shtypi protestat nëntorin e kaluar. Opozita thotë se zoti Sakashvili ka bërë mashtrime si në zgjedhjet presidenciale të janarit, edhe në ato parlamentare të majit. Por David Nikuradze, korrespondent në Washington i kompanisë së pavarur gjeorgjiane të transmetimeve, Rustavi 2, thotë se nuk do të jetë e qartë se çfarë ndodhi në të vërtetë, të paktën deri kur vëzhguesit e zgjedhjeve të OSBE-së të publikojnë raportin përfundimtar për zgjedhjet në Gjeorgji. Zoti Nikuraxe thotë se ai nuk u çudit, që partia në pushtet fitoi 120 nga 150 vendet e parlamentit.

“Partia në pushtet vazhdon të gëzojë shumë popullaritet në Gjeorgji. Gjendja ekonomike, siç e dimë, është shumë më e mirë; ajo ishte e vështirë gjatë qevrisjes së mëparshme, asaj të Eduard Shevarnaxes. Prandaj nuk çuditem që Lëvizja Kombëtare siguroi numrin më të madh të vendeve në Parlament”.

Por korrespondenti i Zërit të Amerikës në Moskë Peter Fedinski thotë se vëshguesit ndërkombëtarë nuk dhanë një gjykim të përcaktuar lidhur me akuzat e opozitës për mashtrime në zgjedhje. Përsëri, udhëheqësit e grupit kryesor opozitar, thonë se do ta bojkotojnë Parlamentin e ri dhe nuk kanë pranuar të marrin 16 vendet që i fituan në votime.

“Opozita është shumë e fortë. Disa agjenci lajmesh njoftuan për 30 mijë vetë, disa të tjerë për 50 mijë vetë, që kanë protestuar ndaj zgjedhjeve parlamentare. Pra, opozita kërkon mbylljen e Parlamentit”.

Ndërkohë, tensionet janë shtuar mes Gjeorgjisë dhe Rusisë lidhur me rajonin separatist të Abkazisë dhe Osetisë jugore. Në fund të periudhës sovjetike dhe me fillimin e pavarësisë së Gjeorgjisë, të dyja këto rajone janë rebeluar ndaj qeverisë qendrore gjeorgjinae dhe “de facto” janë bërë të pavarura, nën mbrojtjen e Rusisë. Që nga vitit 1994 ka patur një armëpushim, që i lejon paqeruajtësit rusë të hyjnë në të dyja këto republika. Por prania ruse atje është bërë burim tensionesh mes Moskës dhe Tbilisit. Në fund të prillit, një avion gjeorgjian zbulimi pa pilot u rrëzua mbi Abakazi, pasi ndaj tij u hap zjarr. Sipas të dhënave të një hetimi nga OKB-ja, të bazuara tek të dhënat e radarëve, një avion ushtarak, ishte parë duke u kthyer në drejtim të hapësirës ajrore të Rusisë. Lidhur me këtë incident, gazetari Peter Fedynski thotë se ky tensionim i marrëdhënieve ruso-gjeorgjiane, në fakt pasqyron një problem rajonal që ka ekzistuar prej vitesh.

Por Igor Zevelev, shef i Zyrës së Washingtonit për Agjencinë ruse të Lajmeve, thotë se marrëdhëniet ruso-gjeorgjiane kanë shënuar këto kohë nivelin e tyre më të ulët.

“Këto janë marrëdhëniet më të vështira në periudhën pas sovjetike dhe ato po keqësohen”, - thotë ai.

Duke e ndërlikuar më tej situatën, është marrëdhënia e përkeqësuar mes Presidentit Sakashvili dhe ish presidentit rus Vladimir Putin, tani kryeministri Putin. Ja si shprehet Igor Zevelev:

“Marrëdhëniet e zotit Putin me Presidentin Sakashvili janë keqësuar kaq shumë, saqë nganjëherë media ruse duket se emocionalisht, mban anën e kundërshtarit. Ka gjithmonë shpresë se këto marrëdhënie do të përmirësohet pasi të dy udhëheqësit të takohen, por sinqerisht, pak shpresë ka se kjo do të ndodhë tani. Megjithatë, marrëdhëniet në afat të gjatë mes Rusisë dhe Gjeorgjisë duket se nuk do të jenë të mira”, thotë analisti.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Moskë, Peter Fedynski thotë se media ruse po njofton tani se Presidenti Sakashvili dhe presidenti i porsazgjedhur rus Dmitri Medvedev do të takohen në Shën Pjetërburg në fillim të qershorit. Por nuk është e sigurt,ë në se ata do të fillojnë t’i sheshojnë disa nga mosmarrëveshjet e tyre.


XS
SM
MD
LG