Lidhje

SHBA shpreh zhgënjimin për dhunën gjatë zgjedhjeve në Maqedoni


Ambasada amerikane në Shkup shprehu shqetësim të thellë lidhur me të metat serioze që vëzhguesit vendas dhe të huaj vunë re në zgjedhjet e djeshme parlamentare të Maqedonisë.

Në një deklaratë të kësaj ambasade shprehet zhgënjim sidomos për nivelet e larta të dhunës që çuan në vdekjen e një personi dhe disa plagosjeve si dhe për frikësimin e votuesve, të zyrtarëve zgjedhorë dhe të vëzhguesve nga ana e grupeve të armatosura të lidhura me partitë kryesore shqiptare.

Ambasada thotë gjithashtu se po aq zhgënjyese ishin parregullsitë e shumta, duke përfshirë vjedhjen ose manipulimin e kutive të votimit apo të listave zgjedhore në qendrat e votimit, sidomos në veriperëndim të vendit si dhe në kryeqytetin Shkup.

Në disa raste, thuhet në deklaratë, vëzhguesit vunë re se policia apo zyrtarë të tjerë të rendit ose qendronin indiferentë përballë parregullsive ose ndihmonin aktivisht autorët.

Ambasada amerikane në Shkup thotë se votimet e 1 qershorit ku pati parregullsi serioze, e diskreditojnë mjaft këtë vend dhe ndikojnë negativisht në perspektivën e pranimit të tij në Bashkimin Europian dhe në NATO. Për të riparuar këtë dëm, thuhet në deklaratë, qeveria duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në mënyrë që votat e parregullta të shpallen të pavlefshme dhe në disa zona të zhvillohen rivotime të pastra, të drejta dhe paqësore.

Qeveria maqedonase, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Shkup, duhet të shkarkojë çdo zyrtar të rendit, që vepron në interes të një partie të caktuar politike dhe jo në mënyrë profesionale. Ambasada bën gjithashtu thirrje që të vendosen procedura të rrepta sigurie për të mbrojtur votuesit, zyrtarët zgjedhorë dhe vëzhguesit në mënyrë që të mos përsëriten ngajrjet e 1 qershorit.

Ambasada, thotë në deklaratë se qeveria duhet të hetojë, të nxjerrë para drejtësisë dhe të ndëshkojë personat e implikuar, të cilët, sipas saj, e njollosën imazhin demokratik të vendit.


XS
SM
MD
LG