Lidhje

Problemet e pakicave në Kosovë kërkojnë zbatim të ligjeve dhe vullnet të mirë  


Ndër të gjitha sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe komuniteti ndërkombëtar, pas pavarësisë, ndoshta më e mprehta është gjendja e pakicave. Ndërsa plani Ahtisaari i garanton të drejtat e tyre, zbatimi mbetet kyçi i suksesit. Pikërisht këto probeme ishin në qendër të një seance të Komisionit amerikan për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, ose komisioni i Helsinkit. Komisioni kishte ftuar për të dëshmuar të martën Komisionerin e Lartë të OSBE-së për të drejtat e pakicave, Knut Vollebaek.

Që gjendja e pakicave në Kosovë ka nevojë për përmirësime të thella, për këtë thuajse të gjithë janë dakord.

“Diskriminimi, mungesa e lirisë së lëvizjes, vështirësitë ekonomike dhe rreziku për dhunë, janë të gjitha pjesë të jetës së përditshme për disa komunitete në Kosovë”.

Komisioneri i Lartë i OSBE-së për pakicat, Knut Vollebaek thotë se arsyet përfshijnë që nga gjendja e vështirë ekonomike, mungesa e burimeve, si edhe mungesa e vullnetit të mirë mes komuniteteve.

Më lejoni të theksoj se rreziku i incidenteve të dhunshme ndëretnike në Kosovë do të vazhdojë të jetë i pranishëm përsa kohë që nuk zgjidhen shkaqet që ushqejnë tensionet ndëretnike”.

Në Prishtinë Bexhet Shala, i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, thotë se çdo pjesëtar i pakicave që do të integrohet nuk ka pengesa. Ai thotë se mbrojtja e të drejtave të pakicave shfrytëzohet për qëllime politike.

“Në radhë të parë Beogradi bashkëpunon me të gjithë serbët në Kosovë dhe ju e dini që serbët këtu nuk mund të bëjnë asgjë pa lejen e Beogradit. Gjithashtu bashkësia ndërkombëtare i përdor për qëllime politike. Ndërkaq edhe institucionet e Kosovës më herët nuk kanë qenë aq sa duhet agresive në mbrojtjen e këtyre të drejtave, por kanë pritur se si do të veprojë bashkësia ndërkombëtare dhe pastaj faturën për shkeljen apo dështimin e të drejtave të njeriut e kanë marrë pikërisht këta”.

Natasha Kandiç, e Fondacionit për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd thotë se serbët në Kosovë ndjehen më të sigurt, megjithatë duhet bërë më shumë për punësimin e tyre në ndërmarrjet publike dhe në mësimin e gjuhës shqipe. Po ashtu zonja Kandiç thotë se serbët që janë kthyer kanë qasje në institucionet e Kosovës.

“Mendoj se është shumë i rëndësishëm kontakti me njerëzit e zakonshëm të cilët përgjigjen me një gatishmëri më të madhe për t’u integruar në shoqërinë e Kosovës”.

Kryetari i Komisionit të Helsinkit Alcee Hastings, shtoi se mbetet akoma për t’u provuar se sa serioz është angazhimi i autoriteteve kosovare për të garantuar të drejtat e të gjitha pakicave.

“Sigurisht që zbatimi ndërlikohet më tej nga refuzimi i pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, duke pasur parasysh që plani Ahtisaari u hartua me mendimin që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi do ta pranonin atë”.

Komisioneri Vollaebek tha se përveç problemeve të tjera duhen përcaktuar më qartë detyrat e Ministrisë për Komunitetet dhe Kthimin drejtuar nga një serb dhe zyrës së Kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve. Zoti Vollebaek tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera duhet të vazhdojnë të përdorin ndikimin e tyre me të gjitha palët në Kosovë.

XS
SM
MD
LG