Lidhje

Presidenti Bush takohet nesër me kryeministrin izraelit në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Bush do të takohet të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Ehud Olmert. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Paula Wolfson thotë se ata do të analizojnë përparimin e arritur në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Ky do të jetë raundi i dytë i bisedimeve në më pak se një muaj, pas udhëtimit të zotit Bush në Izrael në muajin Maj në ceremonitë për nder të 60 vjetorit të themelimit të shtetit hebraik.

Zëdhënësja e presidentit Dana Perino tha se diskutimet jozyrtare në Shtëpinë e Bardhë do të përqëndrohen mbi procesin e paqes. Ajo tha se administrata po bën gjithçka të mundur për të përkufizuar një shtet palestinez para fundit të vitit, duke theksuar se presidenti dhe Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice janë në konkakt të vazhdueshëm me të gjitha palët e përfshira.

"Ne vazhdojmë të jemi të përfshirë në përpjekjet për ti ndihmuar ata, por nuk do të jemi në gjendje të zgjidhim problemet për ta. Izraelitëve dhe palestinezëve do tu duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku".

Zonja Perino tha se procesi është i gjatë dhe i vështirë por theksoi se të dyja palët nuk po heqin dorë.

"Të dyja qeveritë po bisedojnë me njëra tjetrën – palestinezët dhe izraelitët. Por ka shumë tension, shumë kompleksitete historike që hynë në bisedime. Por besoj se presidenti do të shohë nga kryeministri Olmert se ata do të vazhdojnë negociatat me besim të mirë. Presidenti do të vazhdojë tu japë shtytje, pasi izraelitët dhe palestinezët duhet të përmbushin detyrimet e tyre sipas plan të paqes, në se duam të arrijmë synimin për të përcaktuar një shtet deri në fund të vitit".

Zonja Perino tha se izraelitët kanë shqetësime të sigurimit dhe palestinezët shqetësohen rreth njoftimeve për ndërtimin e vendbanimeve të reja. Izraeli tha të djelën se ka në plan të ndërtojë gati 900 njësi të reja banimi në Jeruzalemin Lindor, një lëvizje që solli kritika të ashpra nga udhëheqja palestineze.

Pak para nisjes së tij për në Washington kryeministri Olmert diskutoi planin e ndërtimit të vendbanimeve dhe çështje të tjera në Jeruzalem me presidentin palestinez Mahmoud Abbas. Presidenti Abbas u tha gazetarëve se do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje paqe në se ndërtimi nuk ndalon.

Në Shtëpinë e Bardhë, Dana Perino pohoi se aktiviteti i ndërtimit të vendbanimeve është një problem i madh.

"Qëndrimi ynë për vendbanimet është se ne nuk besojmë se ato duhet të vazhdojnë të ndërtohen dhe ne e dimë se një gjë e tillë shton tensionet kur vjen fjala për të negociuar me palestinezët".

Gjatë një konference me gazetarët zonja Perino u pyet gjithashtu rreth problemeve poltike të udhëheqësit izraelit dhe ndikimit që ato mund të kenë në procesin e paqes.

"Për aq sa di unë izraelitët dhe palestinezët kanë vazhduar bisedimet me vullnet të mirë ndërkohë që në median izraelite ka vazhduar ky diskutim".

Kryeministri Olmert është në qendër të një hetimi për korrupsion nën akuza se ka marrë para nga një afarist izraelito-amerikan. Zonja Perino nuk pranoi të thotë në se kjo çështje do të diskutohet gjatë bisedimeve private me kryeministrin me presidentin Bush. Por ajo theksoi se zoti Bush ka thënë për një kohë të gjatë se populli izraelit dhe ai palestinez kanë një synim dhe se procesi i paqes është një çështje më madhore sesa ajo e një personi të vetëm.//rd//

XS
SM
MD
LG