Lidhje

OKB, thirrje për masa urgjente për lehtësimin e krizës ushqimore


Kombet e Bashkuara po bëjnë thirrje për masa urgjente për lehtësimin e krizës ushqimore në botë, e cila, siç theksojnë zyrtarët kërcënon me skamje dhe deri në prag të urisë miliona vetë në mbarë botën.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, foli sot në Takimin Ndërkombëtar për Ushqimin në Romë, ku u bëri thirrje udhëheqësve botërorë t’i shtojnë 50 për qind furnizimet me ushqime, gjatë dy dekadave të ardhshme.

Shefi i OKB-së u bëri thirrje qeverive të vendeve të ndryshme të botës, t’i administrojnë drejtpërdrejt ndihmat ushqimore dhe t’i furnizojnë fermerët e vegjël në vendet e goditura nga uria, me farëra dhe me plehra, para fillimit të sezonit të mbjelljeve për këtë vit. Ai po ashtu bëri thirrje për eliminimin e politikave tregtare dhe tatimore, të cilat ai i fajësoi si shkatërrimtare të tregut.

Në një mesazh për konferencën, Papa Benedikti thonte se uria dhe kequshqyerja janë, sipas fjalëve të tij, “të papranueshme në një botë ku burimet dhe njohuritë” janë të mjaftueshme për ta zgjidhur krizën. Agjencia e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë me seli në Romë është organizatore e takimit 3-ditësh.//lk

XS
SM
MD
LG