Lidhje

Senatori Barak Obama pritet të sigurojë këtë javë emërimin e Partisë Demokrate për në zgjedhjet e nëntorit


Duket se këtë javë, kandidati demokrat për president, Barak Obama, do ta shpallë veten të emëruarin e partisë së tij për në zgjedhjet e nëntorit, duke u bërë kështu kandidati i parë presidencial afrikano-amerikan që siguron emërimin e një partie të madhe politike në Shtetet e Bashkuara. Senatorit Obama i duhen edhe 45 delegatë që të sigurojë numrin e nevojshëm prej 2118 delegatësh për t’u shpallur i emëruari i Partisë Demokrate. Por kundërshtarja e tij, senatorja e Nju Jorkut, Hillari Klinton, do ta vazhdojë garën deri në fund, duke bërë fushatë me bashkëshortin e saj, Bill Klinton, dhe vajzën e tyre, Çellsi, në Dakotën e Jugut.

Senatori Obama foli të hënën në një takim fushate në Troi të Miçiganit, një shtet i rëndësishëm në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Senatori u tha përkrahësve të tij se fushata e këtij viti ka qënë e gjatë dhe e vështirë për të fituar emërimin e partisë.

“Kam bërë tashmë fushatë për president për 15 muaj me rradhë. Dhe kjo është një periudhë e gjatë. Kjo do të thotë se ka foshnje që kanë lindur, e tani ecin e flasin, që kur unë njoftova se do të kandidoja për president”.

Tani që kanë mbetur vetëm dy zgjedhje paraprake, të cilat do të mbahen sot në Montana dhe Dokotën e Jugut, zoti Obama tha se e kupton që gara e gjatë për të siguruar emërimin e partisë ka bërë që disa njerëz të shqetësohen nëse përkrahësit e senatores Klinton do ta mbështesin atë në zgjedhjet e nëntorit kundër kandidatit republikan, Xhon Mekein.

“Dua t’u them një gjë. Mbi të gjitha, senatorja Klinton ka zhvilluar një garë të mrekullueshme, ajo është një nëpunëse e jashtëzakonshme në shërbim të popullit. Ne që të dy do të punojmë së bashku në zgjedhjet e nëntorit”.

Senatori Obama nuk shpjegoi se ç’do të thoshte me fjalët “do të punojmë së bashku”. Ka pasur mjaft spekullime nëse zoti Obama do ta zgjedhë senatoren Klinton si kandidate për nën-presidente, megjithëse që të dy kanë thënë se është e parakohshme të diskutohet rreth postit të nën-presidentit.

Megjithë fitoren e ndjeshme që korri të dielën në territorin komonuelth të Porto Rikos, për senatoren Klinton po shtohet presioni nga udhëheqësit demokratë që ajo të tërhiqet nga gara pas zgjedhjeve të sotme në Montana dhe Dokotën e Jugut. Tom Vilsak, ish guvernatori i shtetit Ajova dhe bashkë-kryetar i fushatës së zonjës Klinton, tha se pas zgjedhjeve të sotme paraprake, senatorja Klinton duhet të pranojë se Barak Obama do të jetë kandidati i Partisë Demokrate për në zgjedhjet e nëntorit dhe ta mbështesë atë menjëherë.

Në fjalimin e saj të fitores të dielën, senatorja e Nju Jorkut u duk më se e vendosur për ta vazhduar betejën. Ajo e vuri theksin tek fitoret e muajit të fundit, madje tha se po fiton votat popullore, pra numrin e votave të hedhura në kutitë e votimit, gjë që është e debatueshme, varësisht nga mënyra se si numërohen votat në Florida dhe Miçigan. Kjo çështje është gjithashtue e debatueshme sepse zonja Klinton në kalkulimin e saj nuk llogarit rezultatet në shtetet që mbajnë të ashtuquajtura mbledhje partish në vend të zgjedhjeve paraprake.

Zonja Klinton ka në plan të zhvillojë sot një manifestim të madh në Dakotën e Jugut e shoqëruar nga i shoqi dhe vajza. Duke ndryshuar praktikën e saj të deritanishme në fushatë, senatorja njoftoi se fjalimin pas zgjedhjeve të sotme do ta mbajë nga shteti i Nju Jorkut, që ajo përfaqëson.

Shumë analistë besojnë se një numër i mjaftueshëm superdelegatësh do të mbështesin këtë javë senatorin Obama, duke i dhënë atij numrin e nevojshëm për të siguruar emërimin e partisë. Vëzhguesit do të ndjekin nga afër zonjën Klinton për të parë mënyrën se si do të përgjigjet ajo. (ze)

XS
SM
MD
LG