Lidhje

Departamenti i Shtetit: Shqipëria, hapa prapa në luftën kundër trafikut njerëzor


Departamenti amerikan i shtetit publikoi të mërkurën raportin e përvitshëm të trafikimit të qenieve njerëzore në të gjithë botën, në një konferencë për shtyp. Raporti bën një përmbledhje të përpjekjeve të 170 vendeve të botës për të luftuar format më të rënda të këtij trafikimi. Në kategorinë e parë renditen vendet me më pak probleme trafikimi, në kategorinë e dytë ato që kanë shënuar përmirësim por nuk i kanë arritur plotësisht standardet, ndërsa në kategorinë e tretë hyjnë vendet ku ky fenomen është më i theksuar.

Sipas raportit Shqipëria ka rënë nën nivelin e vitit 2002. Për 6 vjet me radhë, Shqipëria renditej në kategorinë e dytë, ndërsa këtë vit është përfshirë në listën e vendeve nën vëzhgim të kësaj kategorie, duke shënuar një hap prapa.

Shqipëria, thotë raporti, është vend burimi për gratë dhe vajzat e trafikuara për shfrytëzim seksual si jashtë ashtu edhe brenda vendit, dhe ka vështirësi të mëdha në kontrollimin e kufijve dhe qarkullimit të njerëzve. Megjithatë, tani, Shqipëria nuk konsiderohet më si vend kryesor tranziti dhe as destinacioni. Rreth gjysma e viktimave të trafikuara shqiptare janë nën moshën 18 vjeç.

Raporti vë në dukje se trafikimi i grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual brenda vendit është në rritje.

Qeveria shqiptare nuk ka dhënë prova bindëse rreth përparimit të përpjekjeve të forcave të rendit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në vitin 2007. Një nga dobësitë që vë në dukje raporti është mungesa e trainimit të njësive të anti-trafikut. Sipas raportit të departamentit të shtetit, qeveria shqiptare, po ashtu nuk ka arritur t’i përmbushë plotësisht standartet minimale për eliminimin e trafikimit gjatë vitit të kaluar. Aftësia e qeverisë për të financuar shërbimet mbrojtëse dhe të ndihmave ka qenë e kufizuar.

Raporti thekson mungesën e shërbimeve riintegruese dhe rehabilituese, të cilat mbeten kritike për parandalimin e trafikimit të përsëritur të shtetasve shqiptarë. Qeveria shqiptare, thotë raporti, ka zbatuar disa veprimtari parandaluese kundër trafikimit, por ka lejuar që plan-veprimit të anti-trafikut t’i kalojë afati pa e rimiratuar atë. Ministria e Brendshme e Shqipërisë, thotë raporti, ka marrë përsipër financimin e linjës së hapur telefonike për viktimat apo ata që rrezikohen nga trafikimi. Ministria e Arsimit ndërkohë ka përfshirë në programin e vet arsimor rritjen e ndërgjegjësimit të nxënëxve në shkolla. Megjithatë, Shqipëria ende vazhdon të mbështetet tek organizatat joqeveritare dhe bashkëpunimi me ta është përmirësuar gjatë vitit të fundit.

Ndërsa Kosova është futur në kategorinë e rasteve të veçanta meqenëse ajo nuk ka pasur një qeveri efikase kombëtare gjatë pjesës më të madhe të kohës gjatë së cilës është përgatitur raporti.

Raporti thotë se Kosova është burim, pikë tranziti si dhe vend destinacioni për gratë dhe fëmijët e trafikuar si nga jashtë ashtu edhe brenda vendit për qëllime shfrytëzimi seksual komercial. Kosova, është kosideruar këtë vit si rast i veçantë nga raporti, për shkak të mungesës së një qeverie efikase kombëtare. Njoftimet nga Kosova ngrejnë shqetësimin se fëmijët janë ato që po detyrohen nga prindërit për të lypur rrugëve, duke hapur kështu mundësinë e trafikimit. Edhe në Kosovë, ashtu si në Shqipëri, vihet re një rritje domethënëse e numrit të viktimave të trafikuar brenda vendit.

Pavarësisht se UNMIK-u ka qenë ai që është marrë për një kohë të gjatë me luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, tani me kalimin e kompetencave tek autoritetet vendore, kjo përgjegjësi ka kaluar në duart e Shërbimit Policor të Kosovës.

Në Kosovë, qeveria vendore, UNMIK-u dhe organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare kanë përgatitur së bashku procedura standarte veprimi në mbrojtje dhe në ndihmë të viktimave të trafikimit.

Raporti vë në dukje një prirje që me sa duket është përhapur në disa vende të rajonit, dhe kjo është trafikimi i qenieve njerëzore brenda vendit.

Raporti i departamentit amerikan të shtetit është raporti më gjithpërfshirës mbi përpjekjet e qeverive për të luftuar këtë fenomen. Përfundimet e raportit shërbejnë për rritjen e ndërgjegjësimit global të kësaj forme skllavërie të kohëve moderne.

XS
SM
MD
LG