Lidhje

Lukaj: T’i mbajmë dyert të hapura për të dyja partitë politike


Shqiptarët duhet t’i mbajnë dyert të hapura për të dyja partitë politike në Shtetet e Bashkuara, thotë bankieri Richard Lukaj, një shqiptaro-amerikan aktiv në komunitetin e këtushëm. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës në shtëpinë e tij në Greenwich të shtetit Connecticut, zoti Lukaj tha gjithashtu se zgjedhja e këtij apo atij kandidati si president, nuk e ndryshon kursin e politikave amerikane në Ballkan.

Zoti Lukaj, themelues dhe drejtues kryesor i grupit të investimeve Bank Street me qendër në Stamford të shtetit Connecticut, është njëkohësisht anëtar i bordit të NAAC-ut, Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë aktive shqiptaro-amerikane që vepron kryesisht në Uashington.

Ai thotë se shqiptaro-amerikanët janë përpjekur të mbajnë marrëdhënie të mira me të gjithë kandidatët për president.

"Ne kemi investuar për shumë kohë që t’i kemi dyert të hapura me gjithkënd. Këtu në Greenwich ne kemi sponsorizuar fondmbledhje për Mekeinin, për Hillarin dhe për Obamën. Branda aktiviytetit që kemi bërë për Obamën kemi bërë edhe me Xhorxh Sorosin, që është i mirëinformuar për Ballkanin dhe është afër Obamës. Kemi gjithashtu miq të mirë që janë bërë këshilltarë të Obamës. Pra, të mos mendojmë se duhet të përkrahim një individ ose një tjetër. Përsa i përket çështjes sonë, këto nuk janë çështje partiake për Amerikën."

Zoti Lukaj thotë se vetë shqiptarët duhet të dalin me ide dhe propozime për zhvillimin e tyre:

"Nëse mendojmë se vetë Amerika duhet të japë idetë dhe të veprojë për ne, kjo nuk është realiste as me një kandidat dhe as me një kandidat tjetër."

Zoti Lukaj thotë se ndërrimi i presidentëve në Shtëpinë e Bardhë nuk sjell ndryshimin e menjëhershëm të programeve për këtë apo atë rajon.

"Presidentët ndërrohen, por një program i caktuar nuk ndërrohet. Programi kërkon shumë më tepër kohë dhe investime për ta ndryshuar. Është shumë vështirë për ta ndryshuar dhe ne si shqiptaro-amerikanë e dimë sa zor ka qenë për t’i ndryshuar këto."

Tani që zoti Obama pritet të marrë emërimin e partisë së tij si kandidat për president, zoti Lukaj thotë se senatori di të mbështesë argumentet që ai i shikon me vend.

"Obama besoj se është i njohur me çështjen shqiptare dhe për situatën në Ballkan. Unë vetë kam patur bisedime me të dhe me këshilltarët e tij. Kemi mbajtur aktivitete të ndryshme për t’i ndihmuar të binden se cila është çështja jonë dhe përse jemi faktor. Gjëja më e mirë përsa i përket zotit Obama është se ai është i hapur dhe dëgjon; nëse argumentet janë të mira, konkrete dhe me shans për sukses, ai i mbështet. Obama është pragmatik, as në favor dhe as kundër shqiptarëve apo dikujt tjetër në Ballkan."

Zoti Lukaj thotë se dera është e hapur dhe nëse shqiptarët kanë programe, ide dhe nevojë për ndihmë, ata nuk do të kenë asnjë problem. //ii

XS
SM
MD
LG