Lidhje

Obama dhe Klinton takohen privatisht në Uashington


Në Shtetet e Bashkuara, kandidati demokrat për president, Barack Obama pati mbrëmë vonë një takim privat me rivalen e tij Hillary Clinton, ndërkohë që të dy përpiqen të bashkojnë partinë pas garës së gjatë për të marrë emërimin e partisë.

Një zëdhënës i zotit Obama tha se ata u takuan mbrëmë në Uashington por mohoi njoftimet e mëparshme se takimi ishte bërë në shtëpinë e zonjës Clinton. Të dyja palët dolën me një deklaratë të përbashkët për publikun, ku thuhej se ata kishin patur një diskutim të frytshëm rreth zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Mbështetës të senatores së Nju Jorkut kanë ndërmarrë një përpjekje për të bindur zotin Obama që të zgjedhë zonjën Clinton si kandidate për nënpresidente. Por fushata e saj ka mohuar se po bëhen përpjekje të tilla duke thënë se një zgjedhje të tillë duhet ta bëjë vetëm zoti Obama.

Ish Zonja e Parë pritet ta pezullojë zyrtarisht fushatën për emërimin demokrat dhe të shprehë mbështetjen për zotin Obama gjatë një takimi që do të ketë nesër në Uashington. //ii

XS
SM
MD
LG