Lidhje

Afrikano-amerikanët reagojnë me krenari për Senatorin Barak Obama


Afrikano-amerikanët po reagojnë me krenari ndaj faktit që Senatori Barak Obama është njeriu i parë me ngjyrë që parashikohet të jetë kandidati presidencial i njërës prej dy partive kryesore politike në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, për disa ky gëzim shoqërohet me druajtjen e një zhgënjimi të madh, në se Obama nuk i fiton zgjedhjet e përgjithshme ndaj rivalit të tij republikan, senatorit Xhin Mekein.

Afrikano-amerikanët janë duke shijuar triumfin e Barak Obamës dhe për shumë vetë, ky është një moment tepër emocional. Të martën, shumë njerëz panë në televizion me emocione dhe pa u besuar syve, se si Obama deklaroi se i takonte emërimi i Partisë Demokrate, pasi kishte marrë numrin e nevojshëm të delegatëve. Curtis Pre është agjent për shtiblerejn e shtëpive dhe njëkohësisht komentator politik në zonën e Washingtonit.

"Shumë njerëz që njoh, ndoshta qanë atë ditë ndërsa një numër i vogël nuk qanë dot, por thanë se do t’i ruajnë lotët për në nëntor".

Kristofer Parker është profesor i shkencave politike në Universitetin e Uashingtonit, në Siatëll. Ai jep lëndën e politikës afrikano-amerikane në Jugun Amerikan, nga periudha para luftës civile, gjatë viteve të diskriminimit ndaj zezakëve, deri në fillimin e lëvizjes së të drejtave të njeriut dhe më pas. Ai tha se për të, fitorja e Barak Obamës ishte diçka e shoqëruar me shumë emocione.

Zoti Parker tha se është e vështirë të përshkruash se ç’do të thotë kandidatura e Obamës për afrikano-amerikanët.

"Zezakët ndjehen krenarë kur e shohin Obamën dhe mënyrën se si ai e paraqiti veten e tij dhe ne. Kjo na mbush me një krenari të jashtëzakonshme. E kam shumë të vështirë ta shpreh këtë me fjalë".

Zoti Parker tha se gjyshërit e tij ishin rritur në një periudhë kur në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara ishte në fuqi i ashtuquajturi ligji Jim Krou, nga vitet 1876, deri në 1965, i cili sanksiononte ndarjen racore në shkollat publike, në vendet publike dhe në transportin publik. Ligji i të drejatve të njeriut në vitet 60 i dha fund ndarjes raciale të ligjëruar.

Senatori Obama do ta mbajë fjalimin e tij me rastin e emërimit të partisë në Kuvendin e 28 gushtit, në Denver, 45 vjet pas fjalimit të famshëm të udhëheqësit të të drejtave civile, Martin Luther King në Washington.

Por disa afrikano-amerikanë druhen se ëndërra e bukur për të patur presidentin e parë afrikano-amerikan mund të shndërrohet në një ëndërr të frikshme, në se Obama i humb zgjedhjet e nëntorit ndaj kandidatit Xhon McCain. Ja si e shpjegon këtë ide zoti Parker.

"Në se ai nuk fiton, dhe anketimet tregojnë se gara ishte e rëndësishme, dhe se ata njerëz të cilët besojnë se raca ishte një faktor i rëndësishëm, votuan për McCainin, në një rast të tillë mendoj se vendi ynë do të pësojë një kthim prapa, të pandreqshëm".

Ron Uolters është profesor në Universitetin e Marylandit. I pyetur në se ndjen emocione lidhur me shanset e Obamës, Walters tregohet i matur.

"Si analist, unë jam optimist me rezerva, sepse nga njëra anë e shoh këtë, jam i kënaqur dhe ndjehem krenar për këtë. Në anën tjetër, e di se sfidat me të cilat do të përballemi, si në zgjedhjet e përgjithshme, dhe, nëse ai fiton, edhe në adminstratë, janë të mrekullueshme".

Kurtis Pre thekson se Obama ka një trashëgimi racore të përzjerë, ai është bir i një babai kenian dhe i një nëne të bardhë amerikane.

"Ajo që e bën këtë fitore kaq historike, është se Barack Obama është një individ me racë të përzjerë, i cili ka studjuar në Universitetin e Harvardit, me nënë të bardhë dhe me baba të zi dhe ai po vlerësohet bazuar mbi karakterin e tij dhe jo nga ngjyra e lëkurës".

Shumë amerikanë më të rinj në moshë janë të të njëjtit mendim, duke thënë se nuk e vlerësojnë aspak Senatorin Obama duke u nisur nga ngjyra, por ata kanë votuar për të, nisur nga fakti se ai është kandidati më i mirë. (ze)

XS
SM
MD
LG