Lidhje

Obama, afrikano-amerikani i parë që fiton emerimin presidencial


Senatori amerikan Barack Obama është kandidati i pritshëm i partisë demokrate pasi siguroi numrin e kërkuar të delegatëve për në kuvendin e partisë. Ai është afrikano-amerikani i parë që fiton kandidaturën e një partie kryesore dhe shumica e analistëve janë të një mendimi se ai deri tani ka zhvilluar një garë historike, që ai shpreson se do ta çojë në Shtëpinë e Bardhë.

Një vit e gjysëm më parë, senatori Barak Obama ishte pothuajse i panjohur. Tani, për shumë, ai është një kandidat frymëzues demokrat për president. Të martën senatori Obama fitoi zgjedhjet paraprake në Montana duke fituar dhe e kaluar numrin e delegatëve të nevojshëm për të siguruar emërimin e partisë demokrate.

Kandidatura e zotit Obama është një arritje historike për një njeri me të kaluar të veçantë. Ai lindi në Hawaii, djali i një zezaku nga Kenia dhe një të bardhe nga shteti amerikan i Kansasit.

I jati u largua nga shtëpia kur Barak Obama ishte vetëm dy vjeç. Ai dhe nëna e tij u vendosën në Indonezi ku jetuan për disa vjet.

Më pas, zoti Obama shkoi në Universtietin Kolumbia dhe në Universitetin e Harvardit për Drejtësi. Pas juridikut, ai u bë një organizator komuniteti në lagjet e varfëra të Çikagos.

Në vitin 2004, ai fitoi garën për senator të shtetit të Illinoit. Atë vit ai mbajti gjithashtu fjalimin kryesor në Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate në kuadër të zgjedhjeve presidenciale. Mes të tjerash ai foli edhe për prindërit e tij.

“Më vunë një emër afrikan – Barack që do të thotë i bekuar – duke besuar në një Amerikë tolerante, ku emri nuk është pengesë për sukses”.

Kur zoti Obama të pranojë zyrtarisht kandidaturën e Partisë Demokrate në Denver, mbushen 45 vjet që kur udhëheqësi i të drejtave civile Martin Luther King i Riu mbajti fjalimin e tij të famshëm “Kam Një Ëndërr” rreth barazisë raciale.

"Ëndërroj që katër fëmijët e tij të vegjël do të jetojnë një ditë në një vend ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre”.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Marylandit, Ron Walters thotë se është i ngazëllyer nga mundësia, që në Shtëpinë e Bardhë të zgjidhet një president afrikano-amerikan.

“Jo vetëm këtu, por njerëzit në mbarë botën do të shohin se Shtetet e Bashkuara kanë një imazh të ri. Është një imazh pozitiv se vendi po përpiqet t’i japë fund një pjese të historisë së racizmit”.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs është dakort me këtë ide.

“Mendoj se ajo që po shohim është një shprehje e jashtëzakonshme se fjalët e para të kushtetutës amerikane, “ne populli” kanë filluar të nënkuptojë të gjithë ne”.

Edhe shumë amerikanë janë shumë entuziastë.

“Ai do të ndryshojë patjetër diçka. Patjetër. Prandaj jam shumë e lumtur”, thotë një grua.

“Ka entuziazëm për këtë kandidat të ri, i cili i gjallëron njerëzit dhe i bën të votojnë”, thotë një banor i Nju Jorkut.

Në zgjedhjet e nëntorit, zoti Obama do të përballet me kandidatin republikan, senatorin Xhon Mekein.

Në zgjedhjet paraprake demokrate, zoti Obama e pati të vështirë të krijonte lidhje me klasën punëtore të bardhë dhe votueset në moshë të madhe. Rivalja e tij demokrate, senatorja Hillary Clinton ishte popullore me këtë grup.

Zoti Obama nuk ka vendosur se cili do të jetë kandidati për nënpresident por nuk ka përjashtuar senatoren Klinton.

Burimet pranë zonjës Klinton thonë se ajo do ta shqyrtonte mundësinë si kandidate për nënpresidente në se kjo do të ndihmonte demokratët të fitonin zgjedhjet e nëtorit. Në se kjo ndodh dhe zoti Obama fiton presidencën, Shtetet e Bashkuara do të kenë presidentin e parë afrikano-amerikan dhe gruan e parë nënpresidente. (ze)

XS
SM
MD
LG