Lidhje

Prishtina e inkurajuar pas takimit SHBA - BE


Udhëheqësit e Kosovës janë shprehur të inkurajuar me deklaratën e përbashkët që doli nga takimi i lartë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, ku nënvizohet përkushtimi për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Kosovës, integrimet e saj rajonale dhe zhvillimin e saj ekonomik e institucional.

Në deklaratën e miratuar në takimin ku mori pjesë edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush, thuhet se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian synojnë që të bashkëpunojnë në përmbushjen e lehtë të kalimit të përgjegjësive nga Kombet e Bashkuara tek misioni Eulex, i cili do të mbajë përgjegjësi për sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij të plotë në gjithë Kosovën që është me rëndësi të veçantë për stabilizimin e saj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi shprehu sot mirënjohjen e vendit për politikën e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian gjatë luftës në Kosovë por edhe më pas në ndërtimin e Kosovës demokratike.

"Dhe sot jo vetëm në mbështetjen politike për Kosovën dhe në aspektin e sigurisë, por për interesimin edhe për mbështetjen ekonomike që vjen nga SHBA-të dhe nga Unioni Evropian. Kosova e çmon shumë këtë angazhim. Është jetik për Kosovën dhe të ardhmen e saj, dhe ne besojmë se do ta ndërtojmë një shtet demokratik, një shtet Sovran, modern, por edhe një shtet të qëndrueshëm në pikëpamjet ekonomike, për çka ndihma që vjen nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, është jetike për neve”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Shtetet e Bashkuara do të jenë pjesë e misionit EULEX, i cili duhet të fillojë të funksionojë pas 15 qershorit me hyrjen në fuqi të kushtetutës së Kosovës. Por, edhe më tej nuk është qartësuar në tërësi mandati i pranisë civile ndërkombëtare pas kësaj date. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, pritet që mbase qysh nesër të marrë një vendim mbi këtë çështje. Ai pritet të paraqesë një raport mbi mundësinë e zvogëlimit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe veprimin e EULEX-it nën mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Prishtina zyrtare është pajtuar me faktin se UNMIK-u do të mbetet në Kosovë por shpreson se nuk do të ketë përplasje mandatesh të pranisë civile ndërkombëtare. Zëvendëskryeministri Kuqi tha se Kosova ka mirëkuptim për zhvillimet politike që bëhen jashtë saj, përkatësisht ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Ajo çka dua të them është se në Kosovë ka nevojë të jetë një koordinim i plotë i bashkësisë ndërkombëtare, një qendër e vendimmarrjes dhe tranzicioni të tregojnë një drejtim dhe ai drejtim duhet të jetë bartja e plotë e kompetencave në institucione vendore. Figurativisht po them se janë dy shtylla të kompetencave: ato që u takojnë institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Sa u përket atyre që u takojnë institucioneve vendore në nuk kemi dilema. Me datën 15 qershor do t’i marrim, do t’i ushtrojmë me përgjegjësi dhe në kooperim me faktorin ndërkombëtarë. Ndërsa EULEX-i besoj me misionin e OKB-së do të koordinohen mire dhe dalëngadalë do të kemi qartësi në ecje e sipër”, tha zv/kryeministri Kuqi.

Beogradi i mbështetur nga Moska zyrtare e kundërshton vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë që duhet të mbikëqyrë zbatimin e pavarësisë së Kosovës. Beogradi kundërshton rrjedhimisht edhe Kushtetutën e Kosovës e cila sipas autoriteteve të Prishtinës hyn në fuqi të dielën në mesnatë duke e mundësuar funksionimin e shtetit të pavarur të shpallur gati katër muaj më parë. //bsa//

XS
SM
MD
LG