Lidhje

Serbi, zhvillohet seanca e parë e parlamentit pas zgjedhjeve të majit


Parlamenti i ri i Serbisë u mblodh për të parën herë pas zgjedhjeve të 11 majit, të cilat përfunduan me rezultat të paqartë.

250 anëtarë të parlamentit bënë betimin si deputetë dhe e shtynë seancën e ardhshme deri në formimin e qeverisë së re. Deputetët kanë tre muaj për miratimin e një qeverie koalicioni, ose në se nuk arrihet marrëveshje, do të ketë zgjedhje të reja.

Koalicioni i Presidentit serb Boris Tadiç, që kërkon lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian, doli si grupi më i madh parlamentar, por nuk arriti të sigurojë shumicën në zgjedhje.

Partia Radikale ultranacionaliste dhe Partia Demokratike e Serbisë kanë rënë dakord për formimin e koalicionit. Këto parti u zotuan për ta kundërshtuar forcimin e lidhjeve me Bashkimin Evropian, me kushtin që Kosova të njihet prej Bashkimit si pjesë e Serbisë.

Secila palë po përpiqet për të siguruar mbështetjen e Partisë Socialiste të ish-presidentit Sllobodan Millosheviç. Të 20 deputetët e kësaj partie do të garantonin shumicën, në se bashkohen me secilën nga partitë e tjera. //bsa//

XS
SM
MD
LG