Lidhje

Afganistani dhe sistemi i raketave në rendin e ditës së NATO-s


Aleanca e Natos po luan një rol kryesor në Afganistanin Kompakt, një plan pesëvjeçar ky mes qeverisë së Kabulit dhe komunitetit ndërkombëtar që vendos objektivat për sigurinë, qeverisjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Në takimin e nivelit të lartë të Natos në prill, udhëheqësit botërorë ranë dakort për një vizion strategjik të Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë në Afganistan, të udhëhequr nga Natoja, që premton një angazhim afatgjatë të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me këtë vend dhe fqinjët e tij, veçanërisht Pakistanin.

Në takimin e ardhshëm në Bruksel, ministrat e mbrojtjes pritet të diskutojnë rotacionin e komandës në Afganistanin jugor, ku mposhtja e kryengritësve talebanë ka qënë e vështirë.

Një marrëveshje tentativë me Hollandën dhe Britaninë do të bënte që secili nga këto vende të komandonte zonën e dhunshme për një vit, duke filluar nga nëntori kur Kanadaja përfundon misionin e saj të tanishëm.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Dan Fejta, zëvendës ndihmës sekretari i mbrojtjes për Evropën dhe Naton tha se ministrat e mbrojtjes kanë rënë dakort për planin, i cili tani pret miratimin e qeverive përkatëse.

"Ajo që kërkojmë të arrijmë është të risigurojmë suksesin në jug duke zgjeruar rotacionet e komandës nga ata aleatë që po e përfundojnë atë dhe të shohim në se pas disa vjetësh Shtetet e Bashkuara mund të rimarrin rotacionin e komandës".

Gjithashtu për t’u diskutuar janë planet e Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropë, i cili do të ketë baza në Poloni dhe Republikën Çeke, me objektiv vende të papërgjegjshme si Irani.

Aleanca e Natos e ka mbështetur planin megjithë kundërshtimet e fuqishme të Rusisë.

Zoti Fejta thotë se ai shpreson të arrihet marrëveshje nga të dyja këto vende gjatë muajve të ardhshëm, megjithëse parashikimet e mëparshme nuk kanë dalë të sakta.

"Përsa i takon statusit të negociatave, ato po ecin mirë. Kemi përparuar me Republikën Çeke. Shpresojmë të punojmë me qeverinë çeke për të nënshkuar dokumentin para fundit të verës. Përsa i përket Polonisë nuk jemi edhe aq larg. Shpresojmë të shënojmë përparim së shpejti dhe të vazhdojmë dialogun, përsëri me synimin për të nënshkuar diçka para fundit të verës".

Ministrat e mbrojtjes në takimin e ardhshëm të Brukselit do të përqëndrohen gjithashtu në zgjerimin e aleancës me 26 anëtare.

Shqipëria dhe Kroacia kanë marrë ftesën për në Nato. Maqedonia i ka përmbushur gjithashtu kriteret e anëtarësimit por veprimi përfundimtar është shtyrë për shkak të mosmarrëveshjeve me Greqinë lidhur me emrin e Maqedonisë.

Dan Fejta thotë se çështja më madhore, ajo e kapaciteteve ushtarake të Natos, do të jetë shqetësimi kryesor i Sekretarit të Mbrojtjes Gejts.

"Ai dëshiron të jetë në gjendje të vazhdojë diskutimin rreth nevojës për të siguruar se aleanca vazhdon të jetë një organizatë ushtarake me kapacitete, që do të thotë me forcë dhe pajisje dhe me të gjitha aftësitë për të qënë një aleancë e efektshme në çdo operacion të tanishëm dhe do të ketë një diskutim të gjerë rreth kapaciteteve në këtë takim".

Aktualisht Natoja ka rreth 53 mijë ushtarë nën komantën e saj në Afganistan dhe po përqëndrohet në çështje të sigurisë, ndërtimin e ushtrisë afgane dhe krijimin e kushteve për rindërtimin dhe ngritjen e një qeverije qëndrore të fuqishme. (ze)

XS
SM
MD
LG