Lidhje

Muzeu i ri i krimit në kryeqytetin Uashington


Një muzeum i ri iu shtua në maj listës së muzeumeve të Uashingtonit, këtë radhë mbi historikun e krimit dhe ruajtjes së rendit kryesisht në Shtetet e Bashkuara. Muzeu financohet nga një sipërmarrës, dhe ndryshe nga muzeumet e Trustit Smithsonian në Uashington, nuk është falas. Por vizitorët që e shohin të arsyeshme të paguajnë çmimin e biletës do të njihen në këtë muzeum me përvojën e aventurierëve që populluan Perëndimin e Shteteve të Bashkuara në vitet 1800, apo do të mësojnë se si kriminelë me emër kanë arritur të arratisen nga burgu e plot aventura të tjera që besojmë për shumë njerëz nuk do të kenë vlerë tjetër veç shuajtjes së kuriozitetit shuajtjes së kuriozitetit:

Muzeu përmban gjithçka që nga makina që përdori për t’u larguar nga skena e krimit Xhon Dilliger, pasi grabiti një bankë në vitet ’30 e deri tek karriget elektrike që përdoren për të ekzekutuar kriminelët.

Këtu ka mjete ndëshkimore që nga mesjeta, si gijotina, e deri tek armë të sofistikuara të gjetura në qelitë e të burgosurve. Ka edhe një pavion të ngjashëm me një laborator të kriminalistikës, ku vizitorët mund të krahasojnë shenjat e gishtërinjve. Jo të gjitha objektet janë autentike, si për shembull kjo është makina e përdorur në xhirimin e filmit mbi dy grabitësit e bankave Boni dhe Klajd.

Vinsent Keller ka ardhur nga Noksvill i shtetit Tenesi për të vizituar muzeun: "Kishte shumë gjëra për të parë e mësuar. Në çdo qoshe kishte diçka të re dhe interesante për kriminelë, historinë e krimit, si u kryen këto akte dhe si u ndëshkuan. Shumë interesant."

Vizitorët mund të provojnë simulimin e një ndjekjeje të kriminelit që largohet me makinë. Policia e përdor këtë mjet për të gjetur mënyra për të kapur kriminelin pa shkaktur aksidente rrugore. Xhenin Vaçarelo është menaxherja e muzeumit: "Duhet ta ndjekësh atë makinën e bardhë në kushte të ndryshme atmosferike. Këtu simulojmë mot me shi të lehtë apo të dendur, borë të lehtë apo të dendur, por gjatë gjithë kohës nuk duhet t’i ndahesh makinës."

Në muzeum ka edhe një studio të re transmetimesh për emisionin e suksesshëm televiziv “Personat më të kërkuar në Amerikë,” i cili shikohet në 40 vende. Në këtë emision jepen portrete të kriminelëve më të kërkuar dhe mblidhen informata nga publiku dhe si rezultat një numër kriminelësh janë gjetur në të gjithë botën.

Prezantuesi i emisionit Xhon Uollsh thotë se muzeu është argëtues, por përcjell edhe një mesazh serioz: "Mund të vish këtu të mësosh shumë për krime që kanë bërë bujë. Mund të shohësh plot njerëz famëkeq. Por shikon edhe anën tjetër – si ndëshkohen ata kur kapen. Këtu kanë përfshirë një qeli burgu që fëmijët ta shohin sa e vështirë është të jetosh aty, një dhomë paraburgimi, një karrige elektrike, një dhomë ekzekutimi me gaz, pra këto janë pasojat e krimit."

Vizita në muze përfundon në pavionin ku janë paraqitur raste krimesh të vjetra, ende të pazgjidhura. Megjithëse shumë njerëz mund të mos jenë të të njëjtit mendim, Nikol Braun Simpson, ish-bashkëshortja e futbollistit O Xhei Simpson është në këtë listë. Po ashtu ka edhe një listë me personat më të kërkuar nga FBI-ja, ku ndër të tjerë, është edhe emri i Osama bin Ladenit. //bsa//

XS
SM
MD
LG