Lidhje

Bush në Itali për bisedime me Berluskonin dhe takim me Papën


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, ndodhet në Itali. Ai do të takohet sot në mesditë me Kryeministrin e Italisë, Silvio Berlusconi dhe nesër me Papën Benedicti i 16-të.

Edhe një herë, Irani duket se do të jetë në plan të parë në bisedimet e presidentit në atë që është quajtur turneu i lamtumirës në Evropën Perëndimore. Italia është përpjekur të bëhet pjesë e një grupi negociatorësh me Iranin ku përfshihen 5 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermania.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se do të dëgjojnë se çfarë do të thonë udhëheqësit italianë, por qeveria gjermane këmbëngul që formati duhet të qëndrojë siç është. Ata gjithashtu theksojnë se Italia ka marrëdhënie tregëtare me Iranin dhe ky fakt do të luajë një roj të rëndësishëm në qoftë se vjen momenti për shtimin e sanksioneve kundër Tehranit

Dje, zoti Bush diskutoi me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, për probleme të ndryshme të krizës me Iranin. Duke folur për gazetarët, pas takimit që ata zhvilluan në një kështjellë jashtë Berlinit, Presidenti Bush theksoi se dëshëron të shohë një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve mbi qëllimet bërthamore të Iranit. Por ai e bëri të qartë se përdorimi i forcës ushtarake mbetet si mundësi e fundit.

“I thashë Kancelares se cili është ocioni im i parë, pra padyshim kjo të zgjidhet në mënyrë diplomatike. Të gjitha mundësitë janë në tavolinë. Por opcioni i parë është që ky problem të zgjidhet duke punuar së bashku, duke dërguar një mesazh të dyfishtë, duke qenë vazhdimisht një politikë e kësaj administrate, që në qoftë se ju në mënyrë të verifikueshme ndërprisni programet e pasurimit do t’i jepni fund izolimit tuaj dhe se ka një të ardhme për ju”.

Në takimin me gazetarët, Presidenti gjithashtu u pyet nëse është penduar për vendimin e tij për pushtimin e Irakut. Ai tha jo, por përsëriti komentet e bëra në një gazetë britanike se dëshironte që t’i kishte zgjedhur më me kujdes fjalët kur argumentonte arsyet për luftën.

“Nuk jam penduar aspak. Rrëzimi i Sadam Hyseinit e ka bërë botën një vend më të sigurtë. Në pyetjen e gazetarit se çfarë do të kisha bërë sikur ta filloja nga e para, para së gjithash do të thosha se në punën time gjërat nuk kthehen mbrapsht. Por unë mund të isha shprehur më mirë”.

Në Itali, lufta në Irak është kritikuar ashpër nga populli dhe sa herë që Presidenti Bush ka vizituar Romën që nga fillimi i konfliktit, janë bërë demonstrata kundër tij. Protestuesit, kundërshtarë të luftës, kanë bërë të ditur plane që gjatë vizitës të tij të qendrojnë në rrugë. Anembanë kryeqytetit italian janë vendosur në detyrë 10 mijë forca policore shtesë. //iç//

XS
SM
MD
LG