Lidhje

SHBA: Të drejta kushtetutese për të ndaluarit e Guantanamos


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara thotë se të dyshuarit për terrorizëm që mbahen në burgun e Gjirit të Guantanamos mund t’i sfidojnë ndalimet e tyre në gjykata civile.

Anëtarët e gjykatës votuan pesë në favor dhe katër kundër duke vendosur që të burgosurit që mbahen në bazën amerikane në Kubë të kenë të drejtat që garanton Kushtetuta amerikane.

Duke shprehur mendimin e shumicës, gjykatësi Anthony Kennedy tha se ligjet dhe Kushtetuta e vendit janë të hartuara në mënyrë të tillë që të mbijetojnë dhe të mbeten në fuqi, në situata të jashtëzakonshme.

Por Gjykatësi Antonin Skalia, duke shprehur opinionin kundër vendimit, shkruan se Shtetet e Bashkuara janë në luftë me islamistët radikalë dhe rezultati i arritur do ta vështirësojë këtë luftë si edhe ka shumë mundësi që të shkaktojë vdekjen e më shumë amerikanëve.

Shtëpia e Bardhë tha se po e analizon vendimin e Gjykatës së Lartë. Burgu i Guantanamos u hap në vitin 2002. Aty mbahen të ndaluar persona që mendohet se kanë lidhje me terrorizmin. Atje mbahen rreth 270 burra, të cilësuar “luftëtarë armiq”, disa prej të cilëve janë atje që prej më shumë se gjashtë vjetësh.

Është hera e tretë që Gjykata e Lartë nxjerr një vendim që bie ndesh me administratën e Presidentit Bush për çështjen e të ndaluarve të Guantanamoss. Pas vendimeve të mëparshme, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi morën masa për ta ndryshuar ligjin për të plotësuar vakumin ligjor ekzistues. //bsa//

XS
SM
MD
LG