Lidhje

Çmimet e naftës rrezikojnë përhapjen e inflacionit


Ndërsa çmimi i naftës vazhdon të rritet në mbarë botën, ekonomistët i druhen përhapjes së inflacionit përtej sektorit të transportit. Kimikatet që nxirren nga nafta gjenden në shumë produkte të zakonshme që po bëhen tani më të kushtueshme.

Çmimet e të gjitha produketeve po rriten, për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Njerëzit në mbarë botën kanë përjetuar tashmë rritjen dramatike të çmimit të ushqimeve dhe kostos së transportit. Por tani komplekset industriale po i rrisin çmimet për një numër të madh produktesh, të cilat nxirren, të paktën pjesërisht, nga nafta dhe gazi natyror.

Javën e kaluar disa kompani kimike bënë të njohur rritjen e çmimeve me rreth 20 për qind, për shkak të kostos më të lartë të energjisë dhe të lëndës së parë. Ken Medlock specialist për energjinë, në Institutin Baker të Universitetit Rice në Huston, thotë se konsumatorët mundet të ndeshen me çmime edhe më të larta në dyqanet lokale.

“Ky është një inflacion tipik që çon në rritjen e çmimeve. Ajo që po ndodh, është se kostoja e prodhimeve po rritet dhe për këtë arsye, në fund të fundit, kjo ndjehet tek konsumatori".

Shumë produkte bazë që përdoren nëpër shtëpi përmbajnë lëndë kimike, nënprodukte të naftës. Benzoli, për shembull përdoret për bojërat. Etileni përdoret si material izolues dhe për paketimin. Propileni përdoret tek tapetet, shishet plastike, kompak-disqet dhe alkoholi. Zoti Medlock thotë se shumica e njerëzve nuk e kuptojnë, se pjesa më e madhe e çdo fuçie nafte përdoret pikërisht për prodhimin e këtyre produkteve.

“Kur përpunojmë naftën, rreth 45 për qind e saj mesatarisht, është benzinë. Pjesa tjetër përmban produkte të tjera dhe në varësi të substancës, apo sendit që prodhohet, nevojiet njëri prej këtyre produkteve të naftës".

Javën e kaluar një analist i firmës financiare Stanley Morgan e filloi tregtimin e aksioneve, me parashikimin se një fuçi nafte bruto mund të shitet për më tepër se 150 dollarë deri në 4 korrik. Specialisti për energjinë Ken Medlock thotë se çmimi i naftës mund ta vazhdojë trajektoren drejt rritjes për disa kohë, por ai mendon gjithashtu se pakësimi i kërkesës do të bëjë që çmimet të fillojnë të bien.

Zoti Medlock thotë se ka patur një pakësim në përdorimin e karburantit për transport si në Shtetet e Bashkuara, edhe në Evropë, si rezultat i kostos së lartë dhe ai shton se vendimet nga disa vende aziatike për pakësimin e subvencioneve do të kenë ndikim të ngjashëm.

Ai thotë se tregu amerikan shpejt duhet ta shfaqë ndikimin e shtimit të furnizimit për shkak të ndërprerjes së dërgesave të naftës për në Rezervën Strategjike të Naftës, një rrjet i krijuar për ruajtjen e naftës nën Tokë, në Teksas dhe në Luizianë, ku qeveria mban një sasi nafte për nevoja urgjente.

“Ne dërgonim 70 mijë fuçi në ditë për në Rezervën Strategjike të Naftës. Kjo sasi nafte që çohet atje shpërndahet për diku, prandaj gjatë muajve të ardhshëm do të mund të shohim një shtim të inventarit të naftës”.

Zoti Medlock mendon se çmimi i naftës mund të bjerë nën 100 dollarë për fuçi ndoshta deri vitin e ardhshëm, por ai nuk pret që çmimi të ulet ndjeshëm, për shkak se kërkesa në shkallë botërore ka përsëri mundësi ta tejkalojë kapacitetin e prodhimit gjatë viteve që do të vijnë. //iç//

XS
SM
MD
LG