Lidhje

Çfarë nuk shkoi siç duhet në fushatën e zonjës Klinton?


Në fund të vitit të kaluar shumë analistë politikë amerikanë besonin se senatorja Hillari Rodham Klinton do ta fitonte me lehtësi kandidaturën presidenciale të Partisë Demokrate. Tani, ndërsa senatori Barak Obama është kandidati i pritshëm, senatorja Klinton po shqyrton të ardhmen e saj politike. Çfarë nuk shkoi siç duhet në fushatën e zonjës Klinton.

Pas përfundimit të zgjedhjeve paraprake, Barak Obama dha një fjalim që shumë njerëz e shikonin si të pamundur një vit më parë.

"Sonte qëndroj këtu para jush dhe ju them se do të jem kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Pak më parë, Hillari Klinton kishte përshëndetur përkrahësit e saj.

"Pyetja që shtrohet tani është, ku do të shkojmë? Dhe duke e ditur se sa shumë përparim kemi bërë, dhe ku duhet të arrijmë si parti, këtë pyetje nuk e marr lehtë".

Nuk ishte fjalimi që do të dëshironte të jepte. Ndërsa zgjedhjet paraprake përfunduan, zonja Klinton nuk u dorëzua, por dukej qartë se rivali i saj kishte delegatë dhe superdelegatë të mjaftueshëm për të marrë kandidaturën.

Analistët politikë po shqyrtojnë tani faktorët që shkaktuan humbjen e senatores Clinton, kur fitorja e saj ishte dukur pothuajse e sigurtë muaj më parë.

Kjo ndjenjë sigurie, si brenda dhe jashtë fushatës së zonjës Klinton mund të ketë çuar në një besim të tepruar, sipas profesorit politik në Universitetin e Virginias Lleri Sabato.

"Ata mendonin se do ta nxirrnin jashtë loje Obamën dhe çdokënd tjetër që në zgjedhjet e para paraprake, por e kishin gabim".

Rrënjët e humbjes për fushatën Klinton mund të jenë që në fillimin e viteve 2002 kur senatorja Klinton votoi në favor të luftës në Irak. Megjithëse më vonë ndryshoi qëndrim, ajo votë mund ta ketë vënë zonjën Klinton në disavantazh ndaj Obamës, i cili kundërshtoi luftën që nga fillimi sipas Brus Mirof, profesor i shkencave politike në Universitetin e Nju Jorkut në Albani.

"Për shkak se Hillari Klinton votoi për rezolutën që autorizonte presidentin Bush në vitin 2002 të përdorte forcën ushtarake në Irak, kishte një mundësi të madhe që të kishte sfidues kundër luftës ndaj saj në zgjedhjet paraprake demokrate dhe shumë nga aktivistët në bazat e partisë do të mbështesnin një sfidues të tillë. Kështu që hamëndja se zonja Klinton ishte një kandidate e padiskutuar ishte gjithmonë në pikëpyetje".

Disa analistë thonë se zonja Klinton bëri gabim kur e vuri theksin tek eksperienca e saj në një kohë kur votuesit preferonin ndryshim. Indira Lakshmanan është korrespondente për Blumberg Njus.

"Fillimisht të gjitha slloganet e saj kishin të bënin me eksperiencën dhe gadishmërinë dhe më pas ato ndryshua në “Gati për ndryshim, gati për drejtim”. Gjithnjë e më tepër pati një evolucion në fushatën e saj që më pas u mundua të thonë “unë jam njeriu që ka eksperiencën për të bërë ndryshime”. Por kjo nuk ndodhi me shpejtësinë e duhur dhe duket se kjo kërkohej nga elektorati amerikan, ndryshim, ndryshim, ndryshim".

Gabimet taktike mund të kenë luajtur gjithashtu një rol në dështimin e zonjës Klinton. Analisti politik Lleri Sabato thotë se fushata e zonjës Klinton harxhoi shumë para në përpjekje për të fituar zgjedhjet paraprake të fillimit si në Iowa ku senatorja Klinton doli e treta.

Megjithatë analistët besojnë se fushata e zonjës Klinton nuk u përpoq sa duhet për të fituar shtete të tjera që zhvillonin zgjedhje brenda partisë në vend të votimeve paraprake.

Një goditje tjetër për Senatoren Klinton ishte penalizimi i Shteteve Florida dhe Michigan, të cilat mendohet se do ta mbështesnin atë. Delegatët e këtyre shteteve nuk u përfshinë në numërim, pasi Florida dhe Michigan mbajtën zgjedhje paraprake para afatit.

Por megjithë këta faktorë, Hillary Klinton iu afrua fitores së kandidaturës më tepër se çdo grua tjetër në historinë amerikane. Fushata e saj për t’u bërë zonja e parë që kthehej në Shtëpinë e Bardhë si Presidente solli entuziazëm gjatë gjithë zgjedhjeve paraprake por nuk arriti të dilte me sukses në fund, kur për pak vota ajo u mund nga i pari afrikano-amerikan që fiton kandidaturën për president nga një parti kryesore. //iç//

XS
SM
MD
LG