Lidhje

Bërns: Presion ndaj Serbisë të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur


Një ish zyrtar i lartë amerikan thotë se është e rëndësishme që Kosova të mbështetet jo vetëm politikisht por edhe financiarisht pas pavarësisë. Ish-nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns, që ka luajtur një rol aktiv në përpjekjet diplomatike që çuan në pavarësinë e Kosovës, tha dje në përfundim të një konference për sigurinë këtu në Uashington, se mbrojtja e pakicave në Kosovë është shumë e rëndësishme, por nga ana tjetër duhet bërë më shumë presion ndaj qeverisë serbe që të mos luajë rol negativ.

Ish nënsekretari i shtetit Nikolas Bërns thotë se për Kosovën sot ka rëndësi mbështetja financiare që ky shtet të kapërcejë problemet e shumta ekonomike. “Paqja dhe pavarësia e Kosovës nuk do të mbështetet vetëm tek vendimi politik që autoritetet e Kosovës morën në shkurt dhe jo vetëm tek njohja nga Shtetet e Bashkuara, dhe vendet e tjera, por edhe tek aftësia për ta ndihmuar atë për të kapërcyer problemet e jashtëzakonshme ekonomike që rëndojnë mbi shoqërinë si papunësia, shumë e lartë dhe mungesa e investimeve”.

Në korrik në Bruksel, Bashkimi Evropian do të mbajë një konferencë donatorësh për Kosovën Ish-nënsekretari i shtetit thotë se autoritetet e Kosovës duhet të veprojnë me shumë kujdes që të mbrojnë të drejtat e pakicës serbe dhe pakicave të tjera. Por ai thotë se Beogradi ka luajtur një rol shumë negativ pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Mendoj që qeverisë serbe në Beograd duhet t’i bëhet më shumë presion që të jetë më e përgjegjshme dhe ta pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës.” Burns

Ka vetëm pak javë që Nikolas Bërns e ka lënë postin e tij në Departamentin e Shtetit, ku luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjet diplomatike për pavarësinë e Kosovës. “Do të thoja që ne ishim përkrahësit kryesorë të pavarësisë së Kosovës gjatë vitit të kaluar. Ne bëmë përpjekje të jashtëzakonshme politike, ne bindëm vende të tjera kudo në botë që të njohin Kosovën, kontaktuam qeveri në gjithë botën në përpjekje për t’i bindur ato që ta njohin Kosovën."

Ish zyrtari i lartë u bën thirrje vendeve të tjera, veçanërisht atyre të botës myslimane dhe të Konferencës Islamike që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Në një vit zgjedhjesh presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara, ku do të jenë përballë republikani Xhon Mekejn dhe demokrati Barak Obama, zoti Bërns parashikon që Ballkani do të vazhdojë të ketë përparësi në politikën e jashtme amerikane. “Fakti që vendet e Ballkanit mund të fillojnë tani të kërkojnë më shumë mirëqenie, më shumë liri, një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe në NATO, është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara, kështu që unë mendoj se është e rëndësishme që të vazhdojnë përpjekjet filluara nga Presidenti Klinton dhe të vazhduara nga Presidenti Bush.”

Zoti Bërns u largua nga detyra në Departamentin e Shtetit pas një karriere të gjatë diplomatike. Ai është tani ekspert në Qendrën Udrou Uilson në Washington. //bsa//

XS
SM
MD
LG