Lidhje

SHBA: Rivotimi në Maqedoni shënoi përmirësim të ndjeshëm


Departamentit amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Gonzalo Gallegos tha se rivotimi i së dielës në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë ishte një përmirësim thelbësor në krahasim me votimet e 1 qershorit të cilat u shoqëruan me manipulime, frikësime dhe dhunë. Rivotimet, tha zëdhënësi, u mbajtën në një mjedis mjaft më të sigurt dhe i rikthyen shumicës së zgjedhësve shansin për të ushtruar lirisht të drejtat e tyre demokratike, të cilat iu mohuan më 1 qershor.

"Megjithatë,” tha zoti Gallegos, edhe të dielën “pati parregullsi të tjera serioze në një numër qendrash votimi, si votime familjare, votime me anë të personave të tretë, mbushje kutish me fletëvotimi fallso dhe procedura të parregullta.”

Shtetet e Bashkuara, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, mbështesin vlerësimin e ODIHR-it, sipas të cilit megjithë përmirësimet e ndjeshme dhe miradministrimin e rivotimit, procesi i përgjithshëm elektoral nuk përmbushi disa nga angazhimet bazë të OSBE-së dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Qeveria, tha zëdhënësi, duhet të vazhdojë me forcë të hetojë, të ndjekë ligjërisht dhe të ndëshkojë sipas ligjit, autorët e manipulimeve, të dhunës dhe të veprave të tjera kriminale.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Gallegos tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë në NATO si dhe bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. //bsa//

XS
SM
MD
LG