Lidhje

Obama, vizitë në Irak dhe Afganistanin para zgjedhjeve të nëntorit


Duke bërë fushatë në shtetin e Miçiganit, senatori Obama u tha gazetarëve se do të vizitojë Irakun dhe Afganistanin para zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit, megjithatë ai nuk dha hollësi të tjera. Më parë, zoti Obama foli në telefon me ministrin e jashtëm irakian Zebari dhe më vonë tha se ishte inkurajuar nga ulja e nivelit të dhunës në Irak gjatë muajve të fundit. Por ai tha se është e rëndësishme që të fillohet tërheqja e trupave amerikane nga Iraku, diçka për të cilën ai është zotuar ta bëjë pak pasi të fillojë nga detyra nëse zgjidhet president në nëntor. Senatori Obama foli rreth planeve të tij për tërheqjen e trupave nga Iraku gjatë fushatës që bëri javën e kaluar në shtetin e Ohajos.

"Mendoj se duhet t'i japim fund luftës në Irak, megjithëse këtë duhet ta bëjmë me kujdes. Ne duhet të jemi po aq të kujdesshëm gjatë tërheqjes saç ishim të shkujdesur kur ndërhymë në Irak".

Fushata e senatorit Obama ka shqyrtuar për një farë kohe mundësinë e një udhëtimit jashtë vendit të kandidatit të pritshëm demokrat. Njoftimi zyrtar rreth vizitës së senatorit të Ilinoit në Irak dhe Afganistan pasoi kritikat e kandidatit të pritshëm republikan, Xhon Mekein.

Senatori Mekein tha se planet e zotit Obama për tërheqje nga Iraku do të çonin në një mundje të Shteteve të Bashkuara në Irak, madje senatori i Arizonës është zotuar t'i mbajë trupat në Irak për sa kohë të jetë e nevojshme deri sa në atë vend të sigurohet fitorja. Zoti Mekein foli në një konferencë shtypi në Virxhinia.

"Ne jemi në rrugën e fitores. Dhe kjo fitore do të thotë që amerikanët të kthehen në atdhe, por ata do të kthehen me nder dhe fitore, dhe jo me humbje".

Senatori Mekein u takua të dielën me ministrin e jashtëm irakian dhe ky i fundit i tha zotit Mekein se shtimi i trupave amerikane në janar të vitit 2007 në Irak po jep rezultat.

Lufta në Irak pritet të jetë një çështje e rëndësishme gjatë fushatës për në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Në përgjithësi, Iraku zë vendin dytë si çështja më e rëndësishme në bazë të anketa të opinionit me votuesit amerikane, menjëherë pas shqetësimeve rreth ekonomisë amerikane. (ze)

XS
SM
MD
LG