Lidhje

Të drejtat e grave në Kosovë


Kushtetuta e Kosovës, e hyrë në fuqi dy ditë më parë, u siguron qytetarëve të vendit të drejta të barabarta pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare dhe gjinore.


Por, një raport i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, vë në pah pozitën e vështirë dhe jo të barabartë të grave në Kosovë. Sipas këtij raporti, vetëdija qytetarëve për barazinë gjinore, gjendja shumë e vështirë ekonomike dhe niveli më i ultë arsimor i grave, janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në trajtimin jo të barabartë të grave dhe burrave në Kosovë.


Bexhet Shala,drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut shfaq dyshimin se me kushtetutën e re, do të ndryshojë edhe gjendja e grave e përshkruar në raportin e këtij Këshilli.


Kosova është ende një mjedis tradicional ku femra nuk vlerësohet në bazë të aftësive që ajo ka por ajo më tepër trajtohet si një objekt në bazë të asaj që meriton të trajtohet”.


Zoti Shala shton se edhe femrat bartin një dozë faji për pozitën jo të mirë të tyre në shoqëri. Sipas tij, gratë në parlament, si përfaqësuese të gjysmës së popullsisë, nuk duhet t’i nënshtrohen përqindjes së përcaktuar me ligj, por ato është dashur të kërkojnë që të trajtohen njësoj si burrat, në bazë të vlerave dhe të aftësive të tyre.


Femrat janë të përfaqësuara me përqindjen e paraparë me ligj vetëm në nivele apo në nivelet e mesme, ndërsa në nivelet vendimmarrëse femrat janë të përjashtuara apo përfaqësuara vetëm simbolikisht”.


Por, deputetja e parlamentit të Kosovës, Flora Brovina thotë se ende nuk është kuptuar mirë gruaja në politikë. Sipas saj, shoqëria në Kosovë ende nuk është mësuar me gruan në vendimmarrje.


“Nuk mjafton 30 përqindëshi nëse nuk jemi në vendimmarrje. Përmirësimet po bëhen por jo aq sa duhet. Kishim një ministre, tani kemi dy, dhe kjo është një avancim, por a është avancim real? Kujtoj se ka shumë për t’u bërë pasi që në anën tjetër, numri i grave të diplomuara, të atyre me specializime dhe me aftësi profesionale gjithnjë po shtohet dhe është një numër konkurrent në punësim dhe vendimmarrje”.


Zonja Brovina, doktoreshë dhe shkrimtare, thotë se arsimimi dhe punësimi paraqesin bazën e lirisë së gruas. Ajo nuk mohon konkurrencën që u vihet grave, por thotë se ato nuk duhet të mendojnë se kanë përparësi në shoqëri, por të binden se duhet të vlerësohen në bazë të aftësive të tyre.


“ Barazinë gjinore e kemi si një shkak që të realizojmë lirinë tonë për të cilën edhe jemi munduar, por edhe si një detyrim për gjeneratat që do të vijnë dhe ndaj shtetit të Kosovës, pasi nuk mund të kuptohet një shtet mirëfilltë demokratik dhe një shtet ku realizohen të drejtat nëse nuk realizohen të drejtat e gruas”.


Në Kosovë, roli i femrave në proceset e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik vlerësohet të jetë shumë i rëndësishëm, por vendi vazhdon të ndeshet me pabarazi gjinore. Pozita e pabarabartë ndikohet nga shkalla e ulët e punësimit të grave, vështirësitë për qasje në shërbimet shëndetësore, shkalla e ulët e integrimit në ekonomi, si dhe numri i vogël i grave në poste drejtuese në administratën publike.//kh//

XS
SM
MD
LG