Lidhje

SHBA: Senatori Obama gëzon epërsi ndaj Senatorit Mekejn


Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se kandidati i Partisë Demokrate për president, Barak Obama gëzon mbështetje më të madhe se sa kandidati republikan, Xhon Mekejn. Por kjo epërsi është më e vogël se sa pritej, duke pasur parasysh avantazhet e demokratëve në këtë vit zgjedhjesh.

Anaketat e fundit të opinionit tregojnë se zoti Obama kryeson me 3 deri në 6 për qind ndaj senatorit Mekejn, ndërkohë që kanë mbetur më pak se 4 muaj deri në zgjedhjet e nëntorit.
Demokratët janë të inkurajuar rreth mundësive të tyre për të fituar përsëri Shtëpinë e Bardhë, pas 8 vjetësh të administratës së presidentit Bush.

Por disa republikanë janë të kënaqur me rezultatin e ngushtë të anketave, ndërkohë që publiku është i pakënaqur me ekonominë, luftën në Irak dhe vetë administratën e presidentit Bush.

Anketuesi i Universitetit Quinnipiac Clay Richards thotë se një numër i madh votuesish me sa duket kanë vendosur se për cilin kandidat do të votojnë në nëntor.

"Mes 75 dhe 80 për qind e votuesve thanë se kanë vendosur për kandidatin që do të votojnë. Prandaj në këtë moment fushatat e kandidatëve do të luftojnë për votat e 20 deri 25 përqind të votuesve, ndërkohë që pjesa tjetër ka vendosur se për cilin kandidat do të votojë".

Sipas një ankete të Universitetit Quinnipiac, në 3 shtete të rëndësishme për në zgjedhjet e nëntorit, shqetësimet ekonomike bënë që klasa punëtore të mbështesë senatorin Obama. Këto shtete janë Ohajo, Pensillvenia dhe Florida.

Zoti Obama pati vështirësi të fitonte mbështetjen e klasës punëtore në zgjedhjet paraprake ndaj rivales së tij, senatores Hillari Klinton, por anketuesi Clay Richards thotë se senatori Obama duket se po bën përparim.

"Zoti Obama mbështetet më shumë nga klasa punëtore se sa kandidatë të tjerë demokratë në të kaluarën. Dhe nëse ai e ruan këtë përparësi ose këtë balancë mes votuesve të bardhë të shtresës punëtore, ai do të fitojë në këto shtete".

Republikani John McCain e gjen veten në një pozitë të vështirë duke u përpjekur të zgjidhet pas një presidenti jopopullor nga e njëjta parti në një kohë kur amerikanët janë të shqetësuar për ekonominë dhe çmimet në rritje të karburantit dhe besojnë se vendi është në drejtim të gabuar.

Zoti McCain i mban shpresat në besimin se amerikanët do të preferonin fitore në luftën në Irak ndaj një tërheqjeje të nxituar të trupave amerikane.

Eksperti i anketave Peter Brown thotë se amerikanët kanë arritur në përfundimin se lufta e Irakut nuk ja vlente koston, por shton se ata vazhdojnë të mbeten të ndarë për hapat që duhet të ndërmerren.

"Dy herë më shumë votues mendojnë se lufta ishte gabim, krahasuar me ata që mendojnë të kundërtën. Kur i pyesim se ku duan të shkojmë që këtej e tutje u japim dy zgjedhje. Një, pozicionin e zotit McCain për asnjë kufi të caktuar kohor për tërheqje dhe marrjen e një vendimi bazuar në situatën e sigurisë në terren dhe përqasjen e zotit Obama për një kufi të caktuar, ata janë të ndarë përgjysëm".

Senatori McCain do të theksojë eksperiencën e tij ushtarake dhe në Kongres gjatë fushatës dhe do të argumentojë se zoti Obama ka pak përvojë në politikën e jashtme dhe çështje të sigurimit kombëtar.

Eksperti i Institutit Brookings Thomas Mann thotë se senatori Obama ka punë për të bërë në këtë drejtim.

"Disa njerëz kanë dyshime rreth cilësive të tij si komandant i forcave të armatosura. Kështu që ka një pengesë për të kaluar, një sfidë për të treguar se është i besueshëm në çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare".

Një faktor tjetër që mund të çojë në zgjedhje me rezultat të ngushtë është tërheqja e qartë që gëzon senatori McCain tek votuesit e moderuar dhe të pavarur të cilët shpesh i çojnë rezultatet në favor të njërit apo tjetrit kandidat.

Demokratët argumentojnë se mbështetja e fuqishme e zotit McCain për politikat e presidentit Bush në Irak do të çojnë në atë që e quajnë një mandat i tretë i presidentit Bush.

Por analisti John Fortier i Institutit American Enterprise thotë se zoti McCain mund të jetë në gjendje të frenojë disa nga sulmet e pritshme të demokratëve.

"Senatori McCain ka aftësinë ta distancojë veten nga zoti Bush më shumë sesa republikanët e tjerë. Ai nuk është një politikan i ri. Zoti McCain ka mbi supe eksperiencë që e çon atë në kohën kur kundërshtonte zoti Bush, kështu që mendojë se do të jetë në gjendje tu rezistojë këtyre lloj kritikave".

Zoti McCain përballet gjithashtu me sfidat të tjera në përpjekjet për të tërhequr republikanët konservatorë. Disa konservatorë nuk kanë besim tek zoti McCain dhe kanë qënë të pakënaqur në të kaluarën kur ai ka kundërshtuar presidentin Bush dhe ka qënë kritikë për partinë republikane.

XS
SM
MD
LG