Lidhje

SHBA: Shqiptarët protestojnë kundër autoriteteve malazeze


Disa organizata shqiptaro amerikane zhvilluan sot në Uashington një demonstratë për të protestuar kundër mbajtjes në gjendje arresti të 16 shqiptarëve në Mal të Zi, të akuzuar nga autoritetet për krim të organizuar dhe terrorizëm.

Demonstruesit të cilët protestuan përpara Departamentit të Shtetit, thanë se akuzat janë të pabazuara dhe procedurat juridike kanë qenë të përfshira nga korrupsioni. Demonstruesit thanë se kërkojnë që Mali i Zi t'i japë fund asaj që ata e quajnë shkelje e lirive civile dhe e të drejtave kushtetuese. Tre prej shqiptarëve të arrestuar janë me shtetësi amerikane. Në Gjykatën e Lartë të Podgoricës është mbyllur ndërkohë procedura e provave ndaj 18 shqiptarëve nga Malësia. Fjala perfundimtare e avokatëve mbrojtës dhe e prokurorit të çështjes pritet të mbahet më 30 qershor.Ndërsa më 7 korrik pritet të mbahet procesi ndaj 5 pjesëtareve të policisë malazeze të akuzuar per torturim dhe keqtrajtim ndaj familjareve të të akuzuarve shqiptarë.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha sot Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ngrenë në nivel diplomatik shqetësimin për kohëzgjatjen e procesit gjyqësor dhe për akuzat se të ndaluarit janë keqtrajtuar nga policia malazese. Por zëdhënësi shtoi se qeveria amerikane nuk është marrë me provat dhe me procesin gjyqësor ndaj tyre. Zëdhënësi tha se qeveria amerikane është e angazhuar që procesi ndaj të pandehurve të jetë i drejtë dhe ata të trajtohen në mënyrë njerëzore. Sipas zëdhënësit, personeli konsullor i ambasadës amerikane në Mal të Zi ka bërë rreth 20 vizita në mjediset e burgimit të të arrestuarve për të parë gjendjen e tyre shëndetësore.

Demonstruesit e ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikçs si Miçigan, Ilinoi, Nju Jork thanë se kanë në plan të takohen me kongresmenë e zyrtarë të departamentit të shtetit. Organizatorët e demonstratës u bënë thirrje edhe Tiranës e Prishtinës zyrtare që të ushtrojnë ndikimin e tyre pranë Podgoricës për të nxitur përmirësimin e gjendjes së të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.//ii

XS
SM
MD
LG