Lidhje

Dëshmi në Kongresin amerikan mbi veprimtarinë e kompanisë AEY në Shqipëri


Komisioni për Mbikqyrjen dhe Reformat qeveritare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan do të zhvillojë sot një seancë me pyetje-përgjigje lidhur me kontratat e kompanisë amerikane AEY. Dëshmia e sotme pason një letër që kryetari i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Henri Uaksman, nga Kalifornia, i dërgoi dje Sekretares amerikane të shtetit, Kondolisa Rajs, në të cilën ai thotë se zyrtarët e ambasadës amerikane në Tiranë, përfshirë edhe vetë ambasadori Uithërs, patën gisht në fshehjen e origjinës kineze të municioneve të shitura nga AEY.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan për Mbikqyrjen dhe Reformat qeveritare ka thirrur për të dëshmuar sot, mes të tjerësh, edhe ndihmës-sekretarin e përkohshëm të Shtetit për çështjet ushtarake e politike, Mitçëll Hauëll dhe zyrtarin e lartë të Departamentit të Mbrojtjes, Stivën Mull. Seanca me pyetje përgjigje do të përqëndrohet në dështimit e kompanisë amerikane AEY për të shitur armë dhe municione në bazë të kontratave me qeverinë amerikane dhe mangësitë brënda qeverisë amerikane që e lejuan kompaninë AEY të merrte këto dhe kontrata të tjera.

Në letrën që i dërgoi dje Sekretares amerikane të Shtetit, Kondolisa Rajs, kryetari i komisionit për Mbikqyrjen dhe Reformat qeveritare, Henri Uaksman, shkruan se komisioni i tij ka informacione se ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uithërs, pati një takim në nëntor të vitit të kaluar me Ministrin e atëhershëm shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ku ambasadori Uithërs miratoi heqjen e provave, që tregonin origjinën kineze të armëve, që po transportoheshin nga Shqipëria për në Afganistan nga një kontraktor amerikan. Kongresmeni Uaksman citon në letrën e tij informacione të mara nga komisioni sipas të cilave zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit u përpoqën t’ia fshihnin këtë informacion komisionit.

Në letër zoti Uaksman shkruan se personeli i komisionit të tij kishte intervistuar majorin, Lleri Herison, shefin e zyrës për bashkëpunim të mbrojtjes në ambasadën amerikane në Tiranë, i cili dëshmoi se në takimin e 19 nëntorit 2007, ambasadori amerikan në Tiranë dhe ministri i mbrojtjes Mediu vendosën që të hiqnin të gjitha provat se armët ishin kineze, para se një gazetar i Nju Jork Tajmsit të vizitonte zonën në Shqipëri, ku kompania amerikane AEY po hiqte ambalazhin kinez të armëve, që do të dërgoheshin në Afganistan. Në letër, zoti Uaksman thekson se në kohën e takimit, kompania AEY ishte nën hetime për trafikim ilegal armësh në lidhje me shitjen e municioneve kineze. Kontrata e ushtrisë amerikane si dhe vetë ligji amerikan ndalojnë tregëtinë e armëve kineze.

Në letrën e tij, kongresmeni Uaksman thekson se komisioni i kërkoi Departamentit të Shtetit çdo informacion lidhur me takimin mes zyrtarëve të ambasadës dhe ministrit Mediu si dhe çdo informacion rreth operacionit të riambalazhimit nga kompania AEY. Megjithëse majori Herison u kërkoi zyrtarëve të ambasadës që të informonin komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me takimin e 19 nëntorit, në përgjigjen e tyre zyrtarët e ambasadës lanë jashtë çdo referencë lidhur me takimin.

Në letrën e tij, kongresmeni i Kalifornisë thotë se provat e mara nga komisioni tregojnë se të paktën në një rast zyrtarët e ambasadës amerikane në Tiranë luajtën rol në fshehjen e origjinës kineze të municioneve. Zoti Uaksman vë në pikpyetje rolin e Departamentit të Shtetit në tregëtimin e municioneve kineze dhe sinqeritetin e përgjigjeve të këtij departamenti dhënë Komisionit për Mbikqyrjen dhe Reformat qeveritare.

Në konferencën me gazetarët dje, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kejsi, tha se departamenti i tij do t’u përgjiget shqetësimeve të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Me siguri që do të bëjmë çdo përpjekje për t’iu përgjigjur shqetësimeve të shtruara në letrën e kongresmenit Uaksman dhe do të japim përgjigje, megjithëse tani nuk mund të jap hollësi të tjera. Dua të vë në dukje se ambasadori Xhon Uithers dhe persona të tjera, që përmenden në këtë letër, janë diplomatë kariere dhe asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë interes biznesi me firmën AEY”.

Në letrën e tij, zoti Uaksman i kërkon sekretares Rajt që për të ndihmuar hetimet e komisionit, disa zyrtarë të ambasadës amerikane në Tiranë të intervistohen si dhe të paraqiten dokumentat që lidhen me këtë çështje.

Vetëm 4 ditë më parë, të premten e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti akt-padi kundër 4 zyrtarëve të kompanisë AEY, përfshirë presidentin e saj, 22 vjeçarin Efraim Diveroli. Një gjykatë e Majamit të Floridës ngriti akuza për blerjen e municioneve kineze në Shqipëri dhe shitjen e tyre Pentagonit për të furnizuar forcat afgane të sigurisë. (ze)

XS
SM
MD
LG