Lidhje

Kosova hedh poshtë idenë e bisedimeve të reja për statusin


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, hodhi poshtë çdo mundësi për të rihapur bisedime për statusin tashmë të zgjidhur të Kosovës, apo ndryshimin e propozimit të presidentit Martti Ahtisaari. Komentet e tij pasuan paralajmërimet e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, për një seri bisedimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e, siç është thënë, çështjeve të interesit të përbashkët, e që përfshijnë disa fusha si sundimin e ligjit, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, doganave e transporteve.

Presidenti Sejdiu tha të premten se Prishtina është e gatshme të bisedojë me Beogradin vetëm për çështje praktike që kanë të bëjnë me integrimin e një pjese të qytetarëve serbë në veri të Kosovës që mëdyshen të jenë pjesë e jetës së përditshme dhe e jetës institucionale në Kosovë.

Asnjëherë s'do të hapet pakoja e Ahtisaarit, asnjëherë s'do të hapet statusi I Kosovës, asnjëherë nuk do të ulemi në tavolinë për të dialoguar çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës dhe të pozicionit të saj juridik – kushtetues që ka”.

Presidenti Sejdiu, pas një takimi që zhvilloi me pjesëtarë të komuniteteve pakicë në Kosovë, paralajmëroi se së shpejti do të ngritet Këshilli Konsultativ për Komunitetet që parashihet edhe me kushtetutën e Kosovës. Sipas tij, edhe vetë formimi i këtij këshilli është pjesë e detyrimeve që duhet të përmbushin institucionet e vendit.

Çështjet praktike janë ato që kemi thënë të cilat ne jemi zotuar se do t'i respektojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ne nuk heqim dorë nga ajo që kemi thënë. Edhe kjo pjesë e punës së sotme është ajo. Ne do të formojmë një këshill konsultativ që është në interes edhe të integrimit, edhe të relaksit por edhe të funksionimit të mirë për interesat e komuniteteve pakicë”, tha presidenti Sejdiu.

Beogradi ndërkaq ka kërkuar rihapjen e bisedimeve për statusin e Kosovës duke kundërshtuar ashpër shpalljen e pavarësisë dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës së saj. Si kundërpërgjigje, përfaqësuesit politikë, kryesisht të serbëve që jetojnë në veriun e Kosovës të përkrahur nga Beogradi, kanë paralajmëruar për nesër formimin e të ashtuquajturit Parlament i bashkësive të komunave të Kosovës. Autoritetet vendase e kanë cilësuar të paligjshëm formimin e këtij parlamenti, ndërsa zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara thanë se ai parlament nuk do të ketë asnjë ndikim juridik mbi Kosovën.

XS
SM
MD
LG