Lidhje

Shqipëria dhe Kosova do të ndërtojnë një linjë 238km për transmetim energjie


Shqipëria dhe Kosova nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për të ndërtuar linjën e transmetimit të energjisë 400 kilovolt nga Tirana në Prishtinë. Përfaqësuesit e dy ndërmarrjeve të transmetimit Ymer Balla dhe Fadil Ismaili nënshkruan në prani të antarëve të qeverive përkatëse dokumentin për ndërtimin e linjës së koneksionit Shqipëri - Kosovë, që do të mbështesë zhvillimin ekonomik të këtij rajoni.

Projekti 58 milionë euro, shumë e ndarë mes dy vendeve, që do të financohet nga qeveria gjermane dhe banka kfvv, parashikon ndërtimin brenda 20 muajve të një linje 238 kilometra të gjatë dhe fuqizimin e gjithë nënstacioneve elektrike në rrugën midis Tiranës dhe Prishtinës.

Ministri i Ekonomisë i Shqipërisë, Genc Ruli, tha në forumin "Strategji për tregje të hapura shqiptare dhe rajonale" se burimet energjitike të Shqipërisë dhe Kosovës mund të jenë fare lehtë bashkëpunuese me njëra-tjetrën në dobi reciproke.

"Një nga problemet tona më të mëdha është humbja e kohës. Nëse ekspertët dhe qeveritë e Europës pranojnë se kanë humbur një dekadë pa investime në energjitikë dhe mosmarrjen e vendimeve në këtë fushë, atehërë ne këtë kohë të humbur e kemi shumë më të madhe. Prandaj nuk duhet të humbim më asnjë orë asnjë vit"- tha zoti Ruli.

Ndërsa zëvendës-ministri i Ekonomisë i Kosovës, Bedri Hamza, thotë se qeveria e Kosovës është e gatshme këtë vit për investime mbi 100 milionë euro në fushën e energjitikës, me bindjen se kjo e ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit.

"Unë besoj dhe jam i sigurtë qe ne kemi dy sisteme energjitike që mund dhe do të jenë në të ardhmen komplementarë mes veti. Ne do ta zgjidhim problemin e furnizimit me energji elektrike, që është një pengesë për zhvillimin e ekonomisë edhe për tërheqjen e investimeve direkte. Shumë shpetj bizneset tona nuk do të ballfaqohen më një vështirësi të tillë"- thotë zoti Hamza.

Ekspertët theksuan në këtë forum ekonomik se Kosova me burimet e shumta të energjisë nga qymyrguri dhe Shqipëria me burime të shumta të energjisë nga lumenjtë janë të gatshme për t'u bërë bashkëpunuese midis tyre dhe në një treg të gjerë rajonal.

Shqipëria me hidrocentrale dhe Kosova me termocentrale - pohuan ata - mund të shndërrohen së bashku në një system të konsiderueshëm të prodhimit të energjisë me cmime të lira dhe të pranueshme. Mungesa e deritanishme e linjave të transmetimit për shkak të izolimit shumëvjecar e ka penguar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e energjisë. //rd//

XS
SM
MD
LG