Lidhje

Robert Mugabe bën betimin


Presidenti i Zimbabvesë Robert Mugabe bëri sot betimin pas fitores në zgjedhjet që vëzhguesit thanë se nuk ishin të lira dhe të drejta.

Zoti Mugabe bëri sot betimin për një mandat të gjashtë 5-vjeçar, rreth një orë pasi komisioni elektoral njoftoi se ai kishte fituar raundin e dytë të zgjedhjeve.

Në fjalimin me rastin e inagurimit, presidenti Mugabe bëri thirrje për "dialog serioz" me opozitën për të minimizuar mosmarrëveshjet dhe për të shtuar bashkëpunimin.

Balotazhi i së premtes u zhvillua megjithë thirrjet e udhëheqësve afrikanë dhe perëndimorë për shtyrjen e tij.

Udhëheqësi i opozitës Morgan Çangërai u tërhoq nga gara javën e kaluar për shkak të dhunës kundër përkrahësve të tij.

Zoti Çangërai nuk pranoi ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit, duke e dënuar atë si të pakuptimtë.

Kritikët e presidentit Mugabe përsëritën thirrjet për ndërhyrje të komunitetit ndërkombëtar kundër qeverisë së tij.

Sot kryeministri i Kenias Raila Odinga tha se Unioni Afrikan duhet të dislokojë trupa në Zimbabve për të ndihmuar në krizën që ka përfshirë atë vend.

Ashkipeshkvi i Afrikës së Jugut Desmond Tutu tha se mund të bëhet një argument i mirë për një ndërhyrje ndërkombëtare për të vendosur paqen në atë vend pas zgjedhjeve që u shoqëruan me dhunë.

Duke folur për një radio britanike, ai i bëri thirrje Unionit Afrikan që të dergojë një mesazh të fuqishëm duke mos pranuar administratën e zotit Mugabe.

Por zyrtarë të Unionit Afrikan thanë sot se nuk kishte të ngjarë të dergoheshin trupat e kësaj organizate në Zimbabve. Në takimin e ministrave të jashtëm të kësaj organizate dje në Egjipt u bë thirrje për dialog ndërmjet qeverisë së Zimbabvesë dhe opozitës.

Ata thanë gjithashtu se Zimbabveja nuk ishte zyrtarisht në rendin e ditës së takimit të nivelit të lartë të kësaj organizate, i cili do të fillojë nesër në Egjipt. Presidenti Mugabe ka lënë të kuptohet se ka ndërmend të shkojë në atë takim.

XS
SM
MD
LG