Lidhje

Çmimet e karburantit dhe të ushqimeve, rekord në 30 vjet


Fondi Monetar Ndërkombëtar tha dje se ngritja e tanishme e çmimit të karburantit dhe ushqimeve – rritja më e madhe e çmimit të mallrave në 30 vjet – ka një ndikim të pabarabartë dhe po dëmton më shumë disa nga vendet më të varfëra të botës.

Në analizën e tij të parë të këtij viti për çmimet në rritje të naftës dhe drithrave, FMN-ja thotë se si rezultat i tyre po shtohen edhe presionet inflacioniste. Drejtori i Menaxhimit në FMN, Dominique Strauss-Kahn thotë se rritja e paparë në kostot e ushqimeve dhe karburantit i ka çuar disa vende në zhvillim në buzë të greminës.

Në se çmimet e ushqimet do të rriten më tej dhe çmimi i naftës do të vazhdojë të qëndrojë i njëjtë, atëherë disa qeveri nuk do të jenë në gjendje të ushqejnë njerëzit dhe në të njëjtën kohë të kenë ekonomi të qëndrueshme.

18 vende afrikane janë goditur rëndë. Liberia, Guinea, Eritrea, Togua, Komoros dhe Malavi janë në gjendje më të vështirë.

Ekonomisti i FMN-së Thomas Helbling bëri krahasime mes rritjes së madhe të çmimeve të mallrave që nga viti 2003.

Çmimet e metaleve janë gati tre herë më të larta dhe çmimet e ushqimeve janë gati dy herë më të larta.

Çmimi i naftës është katërfishuar që nga viti 2003. Zoti Helbling thotë se çmimi i orizit, që e kaloi dyfishin gjatë vitit të kaluar, ka filluar tani të bjerë.

Këtë vit në fakt presim që çmimet e orizit, që u ulën disi nga nivelet rekord, të bien edhe më tej.

FMNja nuk ka përcaktuar ende ndikimin që ngritja e çmimeve ka pasur tek zhvillimi ekonomik botëror.


XS
SM
MD
LG