Lidhje

SHBA, Poloni arrijnë marrëveshje në parim për mbrojtjen nga raketat


Zyrtarët amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kanë arritur një marrëveshje në parim, sipas të cilës një pjesë e sistemit të mbrojtjes nga raketat do të vendoset në teritorin polak. Marrëveshja për vendosjen e interceptorëve të raketave në Poloni kërkon miratimin e zyrtarëve të lartë të qeverisë polake.


Një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Bush tha se të dy palët kanë finalizuar tekstin e projekt-marëveshjes, sipas të cilës Polonia do t'i bashkohet Repubikës Çeke, për të lejuar instalimin në teritoret e tyre të një sistemi rajonal amerikan të mbrojtjes nga raketat, qëllimi i të cilit është interceptimi i raketave me rreze të gjatë veprimi që mund të hidhen nga Irani.

Hollësitë e marrëveshjes nuk janë bërë të njohura, por dihet se Polonia ka kërkuar si shpërblim për lejimin e sistemit amerikan, një ndihmë disa miliona dollarëshe për modernizimin e mbrojtjes së saj ajrore.

Zyrtari i lartë amerikan tha se marrëveshja u finalizua dje vonë, pas një takimi dy ditor me dyer të mbyllura, që u mbajt këtë javë në Uashington mes zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe zyrtarëve të ministrive të Mbrojtjes dhe të Jashtme të Polonisë.

Plani amerikan parashikon stacionimin e 10 interceptorëve të raketave në Poloni dhe një sistem të avancuar radarësh në Republikën Çeke. Një marrëveshje në parim u arrit me qeverinë çeke disa javë më parë.

Ky sistem është kundërshtuar fuqimisht nga Moska, e cila këmbëngul, pavarësisht nga mohimet e Uashingtonit, se sistemi anti-raketor do të minonte kapacitetin e saj strategjik dekurajues.

Në një konferencë shtypi me gazetarët dje, ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane, Daniel Fried, tha se Shtetet e Bashkuara janë përpjekur t'u përgjegjen shqetësimeve të Polonisë për qendrimin rus dhe çështje të tjera.

"Polakët na kanë kërkuar që t'i bëjmë Rusisë një ofertë serioze për mbrojtjen nga raketat, dhe siç e dini, ne e kemi bërë këtë. Polakët, ashtu si edhe çekët, na kanë kërkuar që ne të punojmë më ngushtë me NATO-n, dhe po të jetë e mundur të sigurojmë mbështetjen e saj për mbrojtjen nga raketat. Ne e bëmë këtë me sukses në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në mujin prill. Polakët na kanë kërkuar gjithashtu që të trajtojmë edhe modernizimin e mbrojtjes ajrore të Polonisë. Siç e dini, ne kemi rënë dakord edhe për këtë".

Daniel Fried, një nga pjesëmarrësit kryesorë në dialogun për mbrojtjen nga raketat, e vlerësoi Poloninë si një aleat me rëndësi të Shteteve të Bashkuara, duke vënë në dukje rolin e saj në koalicionin e udhëhequr nga amerikanët në Irak dhe Afganistan, ku Polonia shtoi kohët e fundit kontributin e saj me trupa dhe avionë.

Zyrtari i lartë amerikan, i cili foli në Departamentin e Shtetit tha se hapi tjetër në këtë proces i përket udhëheqjes polake, pa dhënë ndonjë afat kohor, për miratimin përfundimtar të marrëveshjes.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, pritet ta diskutojnë mbrojtjen nga raketat dhe çështje të tjera gjatë turneut të saj evropian javën e ardhëshme.

XS
SM
MD
LG