Lidhje

Ekspertët: Gratë nuk përfaqësohen sa duhet në politikë


Në dhjetëvjeçarin e fundit shumë gra janë zgjedhur në poste të larta politike si për shembull në Zvicër, Gjermani, Mongoli, Liberi dhe Kili. Por shumica e ekspertëve thonë se gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet në krahasim me burrat dhe do të vazhdojnë të jenë prapa tyre në të ardhmen e afërt.

Që nga viti 1998, Zvicra, Panamaja, Letonia, Kili, Bermuda, Gjermania dhe shumë vende të tjera kanë zgjedhur femra në postin e presidentit apo të kryeministrit. Dhe në mbarë botën gjithnjë e më shumë femra po zgjidhen në parlament. Ruanda zë vendin e parë në botë për nga përfaqsimi i grave në parlament me 48 përqind e ndjekur nga Suedia me 47 përqind dhe Kuba me 43 përqind. Megjithatë femrat përbëjnë vetëm 18 përqind të anëtarëve të parlamentit në botë sipas organizatës Unioni Ndërparlamentar.

Arsye e këtij përfaqësimi të ulët është kultura tradicionale dhe paragjykimet ndaj femrave, thotë Kristin Haffert e Institutit Demokratik Kombëtar amerikan."Paragjykimet gjinore mund të vërehen kudo ku shkon. Femrat ende shihen me standarde të ndryshme nga meshkujt dhe paragjykohen në një masë të madhe nga pamja e jashtme ose të paktën ky është një faktor. Gratë gjykohen më me imtësi se sa burrat për atë që bëjnë."

Disa ekspertë thonë se ky lloj paragjykimi i bën femrat të ngurrojnë të kandidojnë për poste politike dhe nisur nga kjo, grave që i kanë të gjitha cilësitë shpesh u mungon guximi për ta parë veten si kandidate politike. Por Kristin Hafert thotë se ka edhe pengesa të tjera që duhet të kapërcejnë gratë." Pengesat janë të njëjta kudo në botë. Për shembull mungesa e përkrahjes nga familja, nga partitë politike, vështirësia për të gjetur burime financiare etj. Mungesa e vetëbesimit padyshim luan një rol por nuk është faktori i vetëm."

Studime të bëra në mbarë botën tregojnë se femrat në përgjithësi kanë një prirje më të vogël se meshujt për të kandiduar për poste politike. Politologia Jennifer Lawless e Universitetit Brown është bashkëautore e një studimi që arrin në përfundime të njëjta." Në vitin 2001 ne arritëm në përfundim se meshkujt kishin një prirje 20 përqind më të lartë se sa femrat për të kandiduar për poste politike."

Përfundimet e këtyre studimeve shqetësojnë shumë analiste. Ndër to është Sarah Brewer, ndihmës drejtoreshë në Institutin Gratë dhe Politika në Universtitetin Amerikan të Uashingtonit. Një ndër gjërat më befasuese nga këto studime është se femrat e brezave të fundit, të cilat janë rritur në klimën e barazisë gjinore janë edhe më pak të interesuara për të kandiduar për poste politike se sa gratë mbi 40 vjeç.

Shumica e ekspertëve pajtohen se organizatat e grave në mbarë botën duhet të promovojnë pjesmarrjen e brezit të ri në politikë. Zonja Brewer mendon se gratë që janë sot në pozita udhëheqëse mund të shërbejnë si frymëzim për të rejat që edhe ato të mund të vijnë në poste të tilla." Përfaqësimi i femrave dhe pjesmarrja e tyre në jetën pubike është shumë më i ulët se sa duhej të ishte, duke marrë parasysh se ne jemi një demokraci përfaqësuese."

Shumë organizata të grave po theksojnë mundësitë e mëdha që kanë brezat e rinj të grave. Por Jennifer Lawless e Universitetit Brown thotë se ndryshimi i mentalitetit se si gjykohen femrat dhe roli i tyre është i vështirë." Ende ka një ndarje tradicionale të punëve si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në vende të tjera të botës. Kur meshkujt synojnë një karrierë politike, kjo është e lehtë. Por kur fjala është për gratë, ato duhet të gjejnë një ekuilibër mes karrierës profesionale dhe jetës në shtëpi.

Shumica e analistëve pajtohen se duhet të bëhet më shumë për të krijuar kushte të njëjta pjesmarrjeje për gratë dhe për burrat si dhe për të nxjerrë më shumë në pah vështirësitë me të cilat ndeshen gratë që kandidojnë për poste politike edhe pse pjesmarrja e tyre në politikë po rritet kudo në botë.//IB

XS
SM
MD
LG