Lidhje

Inflacioni në Europë


Në forma nga më të ndryshmet, konsumatorët evropianë po përpiqen t'i përshtaten rënies ekonomike që filloi që në vitet '90. Shumë prej tyre po bëjnë ndryshime në listën e artikujve ushqimorë që blejnë, por edhe në argëtimet e përditshme, si shpenzimet në restorante apo kafene. Ndërkaq, rritja e çmimeve ka shqetësuar edhe institucionet evropiane, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e rritjes së normave të interesit bankar, për të mbajtur nën kontroll inflacionin.


Në kushtet e problemeve që kanë prekur tregun e pronës së patundur, si dhe rritjes së kostos së ushqimit dhe karburantit, tani blerësit po përpiqen të gjejnë mënyra më novatore për të mbuluar nevojat me buxhetin familjar.

Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish kanë braktisur supermarketet, duke preferuar të blejnë ushqime në magazina të shitjes me shumicë, që konsiderohen më të leverdisshme.

Në Britani, supermarketet gjermane të shitjes me shumicë Aldi dhe Lidl njoftojnë rritje në vëllimin e shitjeve, ndërkohë që supermarketet tradicionale kanë humbur një pjesë të klientelës.

Në këtë dyqan Aldi në Hatfild të Anglisë, gama e produkteve për shitje është më e kufizuar, por çmimet janë mjaft më të ulëta. Kompania thotë se e arrin këtë duke shitur produkte të markës së saj, dhe jo markave më të shtrenja.


Blerësit shprehen mjaft të kënaqur për këtë alternativë më të lirë:"Janë çmime të arsyeshme. Shumë më të lira se supermarketet e rregullta, ku çmimet janë dy-fishuar vetëm gjatë javëve të fundit."

Në Gjermani, çmimet e shitjes me shumicë u rritën mbi 8 për qind në maj. Blerësit pohojnë se po përpiqen të gjejnë forma për të përballuar shtrenjtimin e jetesës.

"Njerëzit nuk shpenzojnë më si më parë. Shihet qartë se restorantet nuk janë më plot si përpara. Njerëzit nuk hanë aq shpesh jashtë se nuk e përballojnë dot."

Konsumatorët italianë kanë vërejtur rritje çmimesh edhe në artikujt bazë të kuzhinës së tyre, si buka apo makaronat.Ritmet e inflacionit në Itali thuajse arritën në 4 për qind muajin e kaluar, rritja më e lartë në mbi 1 dekadë, por kjo s'është e gjitha. Çmimi i makaronave është rritur 22 për qind gjatë vitit të fundit, duke zemëruar konsumatorët që e konsiderojnë këtë një artikull bazë:

"Nganjëherë duhet importuar grurë, pasi nuk mjafton prodhimi vendas. Por nuk më duket e justifikueshme që të rritet çmimi i bukës apo i makaronave, që janë artikuj bazë."

Ndërkohë që blerësit ndjekin me shqetësim rritjen e çmimit të ushqimeve dhe karburantit, Banka Qendrore Evropiane shqetësohet për rritjen e inflacionit dhe po shqyrton mundësinë e rritjes së normës së interesave në takimin e saj të ardhshëm.//IB

XS
SM
MD
LG