Lidhje

Tirana mbyll fazën e bisedimeve me NATO-n


Shqipëria, ka mbyllur fazën e bisedimeve me Naton duke i hapur kështu rrugë nënshkrimit javën e ardhshme më 9 korrik, të protokolleve të anëtarësimit

Më 3 prill të këtij viti Shqipëria së bashku me Kroacinë mori zyrtarisht ftesën për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Natos gjate takimit te nivelit te larte ne Bukuresht. Pas këtij vendimi, të cilësuar historik nga autoritetet shqiptare, u zhvilluan tre raunde bisedimesh mes Tiranës dhe zyrtarëve të Aleancës. Në përfundim të tyre, ministri i jashtëm shqiptar Lulëzim Basha i është drejtuar me një letër sekretarit të përgjithshëm të Natos Jap De Hup Shefer, ku rikonfirmon vullnetin e Shqipërisë për të pranuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet që lindin nga Traktati i Atlantikut të Veriut. Në letër saktësohet se Shqipëria është e gatshme të verë në dispozicion burimet e nevojshme financiare për realizimin e detyrimeve, se synon të marrë pjesë plotësisht në strukturat ushtarake e të angazhojë forcat dhe kapacitetet e saj.

Pas nënshkrimit, protokollet e anëtarësimit, duhet të ratifikohen nga secili vend anëtar i Aleancës. Sipas parashikimeve kjo fazë duhet të mbyllet në fillim të vitit të ardhshëm për të mundësuar anëtarësimin e plotë të Shqipërisë.//lk

XS
SM
MD
LG