Lidhje

Uashington: Tre të rinj shqiptarë dhe shpresat e tyre


Si e shikojnë të tjerët Shqipërinë dhe të ardhmen e saj? Natyrisht, një mënyrë është të jetosh për një kohë në një vend të huaj dhe ta shikosh atë me syrin e të huajit, thonë profesorët e Universitetit Georgetown këtu në Uashington. Këto ditë ata u shpërndanë diploma tre të rinjve nga Shqipëria, të cilët jetuan një vit në kryeqytetin amerikan, ku ndoqën një program trajnimi pikërisht për këtë qëllim: jo thjesht për të marrë njohuri por për të krijuar një vizion më të gjerë mbi nevojat e Shqipërisë. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në një ceremoni të thjeshtë por kuptimplotë që u zhvillua në këtë Universitet.

Fotografi, shtrëngime duarsh, fytyra të qeshura... Zakonisht kështu përfundojnë të gjitha ceremonitë e diplomimit... Por diplomat që po shpërndahen sot përmbajnë një mesazh të veçantë.

Është fjala për vizionin që ky grup nga Shqipëria do të përpiqet të përhapë kur të kthehet në atdhe. Pas një vit trajnimi në aspekte të prekshme për shoqërinë shqiptare si administrata publike, sistemi bankar apo reforma në shëndetësi, organizatorët shpresojnë që ky grup të mund të zbatojë në Shqipëri koncepte të reja. Maria Pryschlak, drejtoreshë e programit ECEPS që jep bursa për vendet e Evropës Lindore, e përmbledh me këtë fjalë atë që ajo pret nga këta të rinj:

"Të vazhdojnë të jenë krijues, të jenë të hapur ndaj ideve të reja, të jenë të përkushtuar ndaj vlerave të tyre, të përkufizojnë për veten e tyre se ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar, dhe sidomos të punojnë pa pushim për ndërtimin e asaj lloj shoqërie që ata ëndërrojnë për vendin e tyre".

Një shoqëri që të jetë e plotësuar me institucione të cilat ende kërkojnë zhvillim.

Për shembull, Artan Gjergji, i cili vjen nga Autoriteti Mbikqyrës Financiar i Shqipërisë mendon se Amerika është vendi ideal ku mund të mësosh për tregjet jashtë sistemit bankar.

"Për hir të së vërtetës, tregu financiar në Shqipëri është një treg relativisht i zhvilluar, me një sistem bankar të zhvilluar. Për mendimin tim, ajo çka i mungon Shqipërisë në këto momente është zhvillimi i një pjese tjetër në sistemin financiar si tregu i sigurimeve, tregu i letrave me vlerë si dhe fondet e pensioneve. Ka ardhur koha që Shqipëria të lëvizë më shpejt në këto drejtime".

"Më pëlqen ajo shprehja që ne nuk kemi nevojë të shpikim rrotën, rrotën e kanë shpikur të tjerët. Pra mjafton ne të marrim eksperiencën e Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim që ka qenë e mrekullueshme... dhe ta implementojmë në Shqipëri".

Fabian Zhilla, i cili punon në sistemin bankar, thotë se i intereson se si sistemi amerikan i drejtësisë reagon ndaj politikave. Ai u përqendrua gjatë kursit te ligjet për antikorrupsionin dhe për investimet e huaja. Por vemendjen e tij në Uashington e tërhoqi sidomos diçka tjetër.

"Fatmirësisht ne jemi në një moment tepër kritik për shoqërinë amerikane siç janë edhe zgjedhjet. Ne dëgjojmë të gjitha alternativat e kandidatëve për president dhe mënyrat se si ata i referojnë gjërat. Gjithë ky ambjent na bën të shohim dhe të mësojmë atë që do të na duhet për në Shqipëri nesër. Ajo që vihet re këtu është se debatet janë të përqendruara në 3-4 çështje kryesore dhe nuk merret njeri me çështje personale".

Të diplomuarit nga Shqipëria vlerësojnë shumë prakticitetin, mënyrën debatuese dhe analitike të vështrimit të problemeve që iu ofrua në këtë qendër të rëndësishme amerikane të dijes.

"Ky është një ndër universitetet më prestigjioze këtu në Amerikë. Programi ynë administrohet nga Universiteti Georgetown, që njihet jo vetëm në Amerikë por edhe në botë për personalitetet që ka nxjerrë".

DoktoreMaria Pryshlak, e cila është vetë me origjinë nga Evropa Lindore, shpreson se kur të kthehen, tre të diplomuarit do të përpiqen të ndërtojnë një shoqëri të begatë por edhe që të ketë sensin e përgjegjësisë sociale, një shoqëri që të jetë paqësore.

"Detyra jonë ishte t’i mbështesnim dhe t’u jepnim mjetet dhe njohuritë. Por tani është detyra e tyre që ta ndërtojnë këtë shoqëri dhe t’ua lenë brezave të ardhshëm, fëmijëve të tyre".


XS
SM
MD
LG