Lidhje

Prodhimi i opiumit mënyrë jetese në Turqi


Lajmet nga Turqia tregojnë se prodhimi i opiumit do të shtohet këtë vit. E gjithë sipërfaqja e mbjellë me këtë bimë do të rritet, falë një programi të veçantë të sponsorizuar nga qeveria që lejon fermerët të kultivojnë bimë narkotike në rrugë të ligjshme. Por a mund të ndiqet shembulli i Turqisë në vende të tjera si Afganistani, ku prodhimi i narkotikëve të paligjshëm është shtuar tej mase.

Me flokë të thinjuara dhe buzëqeshje çapkëne, me një lëkurë të nxirë nga puna disa dekadashe në fushat me opium, 60 vjeçari Mohamet Dogan flet me krenari ndërkohë që fermerët e tjerë e urojnë për të mbjella të mbara. Flitet për një vit të mbarë dhe ata e dinë më mirë se kushdo tjetër. Këta janë fermerë që kanë mbi 30-vjet eksperiencë me kultivimin e bimës që shërben si lëndë e parë për prodhimin e opiumit. Dogan thotë se për të gjithë fermerët, opiumi nuk është vetëm një bimë që sjell para.

"Ai thotë se opiumi është diçka nga i cili nuk mund të heqin dorë sepse është pjesë e jetës atje. Ai shpjegon se babai i tij dhe para tij gjyshi, kanë kultivuar bimën e opiumit. Ai thotë se i hyri kësaj pune në fëmijëri. U rrita në fushat e opiumit, thotë Mohameti, dhe e kam në gjak".

Fermerët kanë shkuar për t'u takuar me inspektorin e shtetit Ilyas Mert. Këtij të fundit nuk i kalon gjë pa e ditur, sepse edhe ai është një veteran i opiumit dhe ka punuar për 30 vjet me agjencitë për kontrollin e kultivimit të kësaj bime.

Mert kontrollon për të parë nëse Mohamet Dogan ka mbjellur opium vetëm në sipërfaqen e caktuar të tokës. Ai gjithashtu sigurohet që opiumi nuk është shtrydhur ende nga bima. Inspektori përllogarit me kujdes se sa opium do të prodhojë fusha e mbjellur. Ndonjë mospërputhje me sasinë e prodhuar do të çojë në një hetim të menjëhershëm që mund të sjellë burgim të gjatë dhe heqjen e përhershme të së drejtës për kultivimin e ligjshëm të bimës së opiumit.

Pasi gjithçka ka vajtur siç duhet, Mert shkon të kontrollojë një fermë tjetër opiumi. Ky është një sezon i ngarkuar për të. Brenda pak javësh bima fillon të prodhojë një substancë qumështore, e cila përdoret për prodhimin e heroinës. Mert po shkon tek Aliu, vëllai i Doganit. Ai thotë se thuajse të gjithë këtu janë të përfshirë në një farë mënyre në prodhimin e opiumit.

"Qyteti kryesor këtu, thotë Mert, quhet Afyon që do të thotë opium. Ai shton se opiumi është në çdo pjesë të jetës këtu, por se gjithçka kontrollohet rreptësisht. Ai thotë se çelësi i suksesit është puna me popullsinë lokale. Të gjithë e dinë se prodhimi i opiumit do të ketë sukses nëse nuk shkelen rregullat. Besimi është jetësor", përfundon ai.

Fitimi i besimit si në vend ashtu edhe jashtë tij ka qënë një betejë e gjatë. 30 vjet më parë Uashingtoni e akuzoi Ankaranë se kishte kontroll të dobët mbi opiumin dhe se 80 përqind e heroinës në Amerikë vinte nga Turqia. Nën një presion të madh, qeveria turke ndaloi të gjithë prodhimin e opiumit. Rreth 1 milion vetë u prekën nga ky vendim. Fermeri i opiumit Ali Dogan i mban mend ato ditë të vështira.

"Ishte një kohë e tmerrshme, thotë Aliu. Nuk humbëm vetëm burimin e të ardhurave, por kulturën tonë, kuzhinën dhe gjithçka që lidhet me të. Ishte një pakënaqësi e madhe, uri dhe zemërim. Ai thotë se nuk duan që ato ditë të përsëriten. Ndaj për këtë arsye, shton ai, fermerët punojnë së bashku që politikat e reja të funksionojnë. Patjetër që çdo fermer do të donte të mbillte një sipërfaqe më të mdhe, por nuk ia vlen rreziku që të humbasësh për jetë të drejtën e kultivimit të opiumit".

Pas një presioni të madh tre vjeçar nga fermerë si Aliu dhe vëllai i tij Mohamet, qeveria i lejoi ata të mbillnin opium. Por kësaj rradhe u vu në zbatim një metodë radikale për kontrollin dhe prodhimtarinë e opiumiut.

Jo larg plantacionit të Aliut është fabrika më e madhe në botë e opiumit. Duke punuar 24 orë në ditë, fabrika prodhon gjysmën e opiumit të kultivuar ligjërisht në botë. Ali Gevenkiris drejton prodhimin e opiumit në Turqi.

Gevenkiris vëzhgon me kujdes ndërkohë procesin e shtrydhjes së frutave. Makineria që përdoret në këtë proces eliminon metodën e mëparshme të përpunimit që çon në prodhimin e heroinës. Nëse vërehet një praktikë e paligjshme e përpunimit, ata që shkelin rregullat dënohen deri në 20 vjet burg. Por a mund të përsëritet në Afganistan një sukses i tillë.

"Nëse prodhimi i opiumit bëhet i ligjshëm në Afganistan, tregu botëror do të mbushet me opium, thotë Ali Gevenkiris. Kjo do të sjellë një rënie të thellë në çmime".

Në Turqi kontrollet e rrepta janë të kushtueshme me rreth 6 milionë dollarë në vit, një shumë e konsiderueshme po ta krahasosh me të ardhurat e përgjithshme prej 30 milion dollarësh nga shitjet e opiumit të ligjshëm në botë.

Faktikisht, prodhimi që mundësojnë programet qeveritare arrin të vështirësi të mbulojë koston e tij. Por, duke pasur parasysh se afro një milion vetë varen nga kultivimi i opiumit për para, dhe rëndësinë e këtij aktiviteti në ruajtjen e identitetit kulturor, qeveria turke beson se ia vlen te shpenzosh në këtë fushë.

XS
SM
MD
LG