Lidhje

Obama, Mekejn flasin për ekonominë amerikane


Të dy kandidatët kryesorë presidencialë po flasin për ekonominë, duke theksuar nevojën për të ndihmuar amerikanët e zakonshëm, ndërkohë që ofrojnë pikëpamje të ndryshme për politikat e taksave.

Republikani Xhon Mekejn u tha anëtarëve të Ligës së Qytetarëve të Bashkuar Latino-Amerikanë gjatë një takimi sot në Uashington se ai do të ulë taksat për korporatat për të ndihmuar bizneset e vogla.

Ai thotë se taksat më të ulëta do t’i inkurajojnë kompanitë të rrisin investimet në Shtetet e Bashkuara dhe të krijojnë më shumë vende pune.

Ndërsa kandidati demokrat Barak Obama, duke folur para përkrahësve të tij në Xhorxhia tha se nga uljet e taksave të propozuara nga senatori Mekejn do të përfitojnë vetëm korporatat e pasura.

Senatori Obama paraqiti propozimet e tij ekonomike për të cilat ai thotë se do të ndihmojnë njerëzit në nevojë, duke përfshirë të sëmurët dhe të moshuarit të cilët gati po falimentojnë.

Edhe zoti Obama do të flasë sot para Ligëss së Qytetarëve të Bashkuar Latino-Amerikanë. Grupi përfaqëson një bllok të rëndësishëm votuesish me prejardhje nga Amerika Latine. Në zgjedhjet e ardhshme pritet të votojnë të paktën 9 milionë latino.//bsa//

XS
SM
MD
LG