Lidhje

Takimi i Grupit të Tetëshes përqëndrohet tek ndryshimet klimatike


Ndryshimi i klimës pritet të jetë në qendër të diskutimeve të sotme në takimin e nivelit të lartë të tetë vendeve më të industrializuara të botës në Japoni.

Vëzhguesit thanë se presidenti amerikan George Bush është nën trysni për të mbështetur një marrëveshje për luftën kundër ndryshimeve klimatike gjatë takimit të përvitshëm të Grupit të Tetëshes. Zoti Bush tha se vendet me ekonomi në rritje, si India dhe Kina, duhet të përfshihen në çdo përpjekje për të kufizuar gazet që shkaktojnë efektin serë, në mënyrë që marrëveshja të funksionojë.

Afrika dominoi diskutimet në hapjen e takimit dje në ishullin verior të Hokaidos.

Udhëheqësit afrikanë u kërkuan tetë vendeve më të industrializuara të botës të mbajnë premtimet për të shtuar ndihmat ndaj Afrikës me 25 miliardë dollarë në vit, deri në vitin 2010. Ata paralajmëruan se çmimet në rritje të karburantit dhe të ushqimit po e keqësojnë gjendjen e varfërisë në vendet afrikane.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon mbështeti udhëheqësit afrikanë, duke theksuar se problemet e ushqimit, ndryshimet klimatike dhe të zhvillimit janë të ndërlidhura.


Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick tha dje se sfidat kryesore me të cilat përballet Grupi i Tetëshes në takimin e nivelit të lartë janë të një rëndësie të veçantë për Afrikën.

"Ushqimi dhe karburanti, mjetet e jetesës dhe energjia, kequshqyerja dhe shëndeti –janë këto problemet bazë".

Udhëheqësit e Grupit të Tetëshes i diskutuan këto tema me udhëheqësit e ftuar nga tetë vende afrikane në veri të Japonisë, në një pikë pushimi të izoluar në Tojako. Dy vjetë më parë, në një takim të ngjashëm në Skoci, Grupi i Tetëshes premtoi të shtonte ndihmat për Afrikën në 50 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2010.

Max Lawson, përfaqëson grupin Oxfam të ndihmave dhe thotë se aktualisht është dërguar vetëm një pjesë e vogël e kësaj shume – rreth 3 miliardë dollarë në vit. Ai thotë se po vëzhgon me kujdes projektet për deklaratën përfundimtare të takimit të nivelit të lartë.

"E kupton që Grupi i Tetëshes kërkon të largohet gradualisht nga premtimet e bëra për ta shtuar ndihmën ne 50 miliarde dollarë. Në se nuk e shohim këtë në deklaratë, do të ishte shkelje e premtimit".

Zoti Lawson thotë se afrikanët e thjeshtë po vuajnë për shkak të përparësive të gabuara që kanë vendet e pasura.

Grupet e ndihmave si Oxfam, thonë se fondet ndërkombëtare ndihmojnë në blerjen e ilaçeve që ndihmojnë në shpëtimin e jetës së njerëzve, në luftën kundër epidemive të Sidës dhe malarias në Afrikë.

Oliver Buston me grupin “One” kundër varfërisë, thotë se mbi Afrikën po rëndon gjithashtu rritja e çmimit të ushqimit.

"Në Londër, nga vij unë, çmimi i makaronave është rritur me 40 përqind – dhe kjo është e padurueshme. Por kur çmimi i ushqimit rritet me 40 përqind dhe jeton me një dollar në ditë, është kërcënuese për jetën".

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon, që mori pjesë gjithashtu në takimin e nivelit të lartë, tha dje se pasojat e ngrohjes globale po dëmtojnë bujqësinë e Afrikës. Grupet e ndihmave thonë se prirja e korporatave të mëdha për të prodhuar biokarbure në Afrikë po pakëson furnizimin me ushqime të kontinentit dhe po bën që çmimet të rriten.

Presidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian Jose Manuel Barroso njoftoi dje se një miliardë e 500 milionë dollarë të papërdorura për subvencionet e fermerëve evropianë do të kalojnë tani për Afrikën. Por grupet e ndihmave dhe udhëheqësit afrikanë shpresojnë për shumë më tepër ndihma para përfundimit nesër të takimit të nivelit të lartë.

XS
SM
MD
LG