Lidhje

NATO-ja nënshkruan protokollet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Kroacinë


Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan protokollet e anëtarësimit në Nato, duke u vënë në rrugën e pranimit në Aleancën Atlantike në fillim të vitit të ardhshëm.

Ministri i Jashtëm shqiptar Lulzim Basha dhe homologu i tij kroat Gordan Jadrokoviç i nënshkruan dokumentet sot në një ceremoni në Bruksel. Javën e shkuar Tirana përfundoi bisedimet me Aleancën, të cilat pasuan marrjen e ftesës më 3 prill, gjatë takimit të nivelit të lartë në Bukuresht.

Akti i sotëm, i cili ishte më tepër një formalitet, mbyll përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në gjirin e Aleancës së Atlantikut dhe tani mbetet vetëm ratifikimi i protokolleve nga vendet e tjera, që ajo të quhet anëtare me të drejta të plota.

Ndërkohë, në ceremoni nuk ishte e pranishme Maqedonia, anëtarësimi i së cilës u bllokua nga Greqia pas mosmarrëveshjeve rreth emrit. Në komentet në këtë ceremoni, Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jap de Hup Skefer theksoi se dyert e Aleancës janë të hapura për Maqedoninë.

Diplomatët thonë se edhe nëse mosmarrëveshja zgjidhet shpejt, do të jetë e vështirë për Maqedoninë të plotësojë procedurat e anëtarësimit krahas Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat pritet të hyjnë në Aleancë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në prill 2009. //IB

XS
SM
MD
LG