Lidhje

Uashingtoni dënon provat e Iranit me 9 raketa balistike


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondolisa Rajs dënoi Iranin për provën me raketë që mund të godasë Izraelin, duke thënë se kjo shkel detyrimet ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Siç njofton korrespondenti ynë Stefan Bos, zonja Rajs i bëri komentet në Bullgari ku asaj iu bënë nderime për ndihmën e dhënë në lirimin e 5 infermiereve dhe një mjeku që ishin ndaluar në Libi.

Duke folur në kryeqytetin bullgar Sofie, Sekretarja amerikane e Shtetit Kondolisa Rajs dënoi provën e re me raketë të Iranit.

Njoftimet arabe të lajmeve thanë se raketa Shahab-3, e cila mund të arrijë deri në Izrael, ishte mes nëntë raketave të lëshuara nga një vend i fshehtë në shkretëtirën iraniane. Televizioni iranian njoftoi se komandanti i forcave ajrore gjenerali Hosein Salami tha se lëshimi i raketës ishte pjesë e ushtrimeve që do të tregonin vendosmërinë dhe fuqinë e tyre ndaj armiqve të cilët gjatë javëve të fundit kanë kërcënuar Iranin me një gjuhë të ashpër.

Prova u zhvillua menjëherë pasi Sekretarja Rajs nënshkroi dje një marrëveshje në Republikën Çeke për një stacion radarësh që do të jetë pjesë e një sistemi të mbrojtjes për të cilin Uashingtoni thotë se do ta ndërtojë për të interceptuar raketa prej vendeve të tilla si Irani.

Zonja Rajs tha pas ceremonisë së nënshkrimit se megjithëse presidenti Xhorxh Bush është pranë fundit të mandatit të tij, ajo pret që kushdo që të zgjidhet president do ta vazhdojë programin e mbrojtjes nga raketat.

"Ne, ashtu sikurse aleatët dhe miqtë tanë, po përballemi me një kërcënim iranian i cili po zgjatet dhe po thellohet, dhe ndërsa oreksi iranian për teknologji bërthamore është ende i pakontrolluar deri tani. E kam të vështirë të besoj se një president amerikan nuk do të dojë të ketë mundësinë për ta mbrojtur nga kërcënimet e raketave territorin tonë dhe atë të aleatëve tanë, pa marrë parasysh nëse ata janë në Europë apo në Lindjen e Mesme."

Zonja Rajs u tha gazetarëve në Sofie se prova e fundit iraniane me raketa tregon se duhet të merren masa meqenëse kërcënimi që përbën Irani nuk është thjesht imagjinatë. Ajo tha në një deklaratë se iranianët duhet t'i japin fund shkeljeve të detyrimeve të tyre ndaj Këshillit të Sigurimit dhe të fillojnë t'i përmbushin ata.

Sekretarja e Shtetit Rajs i bëri komentet në Bullgari ku iu bë nderimi më i lartë i vendit për ndihmën e dhënë në lirimin e pesë infermiereve bullgare dhe një mjeku palestinez nga Libia vitin e kaluar. //ad//

XS
SM
MD
LG