Lidhje

Debate në KLD - Reagon Kreshnik Spahiu


Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu e cilëson si një Gërdec të dytë për Drejtësinë sulmin ndaj tij prej Mihal Delijorgjit, drejtuesit të kompanisë që kryente çmontime në Gërdec i cili pak ditë më parë iu drejtua me një letër autoriteteve shtetërore. Qëndrimi ndaj kësaj situate sipas tij do të jetë një test për shtetin për të dëshmuar se në anë e kujt është. Në një bisedë me Zërin e Amerikës zoti Spahiu e konsideron artificial konfliktin e lindur me ministrin e Drejtësisë Alibeaj dhe antikushtetuese kërkesën për verifikimin e veprimtarisë së tij si nënkryetar

Eshtë kthyer gati në një luftë të ftohtë përplasja mes ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të Këshillit të lartë Kreshnik Spahiu."Do të thoja që gjithcka është artificiale - shpjegon zoti Spahiu - Prej shume kohësh, ndoshta për herë të parë në KLD ka patur një harmoni të plotë dhe një vendimarrje konsensuale përfshirë dhe një dialog shumë konstruktiv brenda KLD.Me bindje ju them se cdo kërkesë apo pretendim I ardhur nga ministri I Drejtësisë deri më sot është pranuar në 100 për qind të rasteve sikundër ka patur një bashkëpunim shumë serioz".

Edhe ministri i Drejtësisë Alibeaj ka folur për një konflikt të stisur duke akuzuar zotin Spahiu për protagonizëm politik. "Protagonizëm politik nga ana ime nuk mund të ketë sepse unë nuk përfaqësoj asnjë parti politike - replikon zoti Spahiu - ky protagonizëm mund të jetë nga ana e ministrit. Së dyti nuk ka patur asnjë tendencë të këtij protagonizmi se kjo është dalja ime e parë për këtë cështje dhe nuk kam shprehur në asnjë rast asnjë reserve apo kritik në adresë të ministrit të Drejtësisë I cili është anëtar ex officio. Të gjitha deklarata kundrë deklaratat e qëndrimet antagoziste në 7 apo 8 raste kanë ardhur nga ana e ministrit.

Pak ditë më parë mnistri I drejtësisë kërkoi verifikimin e ligjshëmrisë së ushtruimit të detyrës nga ana e nënkryetarit Spahiu. Këshilli i Lartë e hodhi poshtë me votim këtë kërkesë. Ministri Alibeaj nga ana e tij e quajti të gabuar qëndrimin e Këshillit, mosrespektim të ligjit dhe ka përsëritur publikisht kërkesën. Por zoti Spahiu është i mendimit se kjo kërkesë është antikushtetuese: "Për herë të parë pas 15 vjetësh, në historinë e tij dhe të jurisprudencës shqiptare bëhet një kërkesë kaq antikushtetuese dhe antiligjore. Dhe besoj se përgjigja më e mirë është vendimi i KLD i cili e rrëzoi si të pabazuar në ligj këtë kërkesë dhe më pas edhe vendimi i vet ministrit me nënshkrimin që i bëri raportit të kontrollit të inspektoriatit të KLD që ishte bërë objekt i debatit e diskutimit. Pra vetë ministri ka pranuar që ky raport dhe ky kontroll ka qenë i rregullt".

Por ministri nga ana e tij është shprehur se debati nuk ka qenë për cështjen e propozimit për procedim disiplinor të tre gjyqtarëve që i dhanë pafajsinë Mihal Delijorgjit, drejtuesit të shoqërisë që kryente cmontimet në Gërdec. Ai e ka firmosur nisjen e procedimit. Pak ditë më parë tha se cështja do i nënshtrohet tashmë Këshillit sikundër dje njoftoi se do të kërkojë të njejtën mase edhe për tre gjyqtarë të tjerë dhe dy prokurorë.

"Ne mirëpresim edhe zgjimin nga gjumi letargjik I ministrit për tu përfshirë në llogoren antikorrupsion, ne mirëpresim cdo kënd që të përfshihet në këtë luftë - shprehet nenkryetari i KLD - Raporti i kontrollit për gjyqtarët që liruan të dyshuarin për autorin kryesor të shpërthimit të Gërdecit ka shkaktuar një debat kaq të madh. Më pas kjo u shoqërua me një Gërdec të dytë për Drejtësinë shqiptare që është letra dhe kërcënimi që ka marrë Kreshnik Spahiu nga qelitë e burgut nga Mihal Delijorgji dhe në këtë konteskt do të thoja se pa paragjykuar hartuesit apo bashkautorët e kësaj letre, qëndrimi ndaj Kreshnik Spahiut do të jetë një test nëse shteti do të mbajë anën e Drejtësisë apo anën e Mihal Delijorgjëve".

Të dy protagonistët e kësaj përplasjeje e cilësojnë atë artificiale ndonëse debatet vazhdojnë prej shumë ditësh të ngarkuara me insinuata te forta. Tashmë mbetet për të parë nëse ajo është vërtetë e tillë apo sic shumë vëzhgues vlerësojnë, ka dhe një sfond politik.

XS
SM
MD
LG