Lidhje

Maqedoni: Dorëzohet në parlament përbërja e qeverisë


I ngarkuari me mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, Nikolla Gruevski i ka dorëzuar Parlamentit të vendit listën me kandidatët për kabinetin e tij. Parlamenti ka caktuar datën 26 korrik kur do të mbahet seanca për miratimin e qeverisë. Së bashku me listën e kandidatëve, zoti Gruevski ka dorëzuar edhe programin për punën e kabinetit të ri. Nga partneri i koalicionit, Bashkimi Demokratik për Integrim janë emrat tashmë të ditur të kandidatëve për ministra: Fatmir Besimi për Ekonomi, Bujar Osmani për Shëndetësi, Musa Xhaferi për ministër të Pushtetit vendor, Xhelal Bajrami për ministër të çështjeve sociale, Nexhati Jakupi për ministër të Ambientit dhe Abdylhaqim Ademi propozohet fillimisht për ministër pa portofol, që më pas të emërohet për zëvendëskryeministër për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nga partia VMRO-DPMNE ministrat e jashtëm, të brendëshëm, të Drejtësisë, Financave dhe Transportit si dhe ministri i Bujqësisë që vjen nga partia Socialiste mbeten të njëjtit. Ministra të rinj do të vijnë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Kulturës, Arsimit dhe të Informatikës. Shumica parlamentare ka gjithsejt 82 vota në Parlament, që paraqet dy të tretat e votave. Për miratimin e qeverisë nevojitet shumica e thjeshtë, prej 61 votash.

XS
SM
MD
LG