Lidhje

Vdes kirurgu pionier Majkëll Debejki


Dr. Majkëll Debejki, një ndër kirurgët më të famshëm të zemrës në botë, vdiq të premten në mbrëmje në Houston të Teksasit. 99-vjeçari Debejki ishte pionier i kirurgjisë së zemrës, por edhe nismëtar i një sërë politikash për shëndetin. Ai dha një kontribut të drejtëpërdrejtë në krijimin e fushës së kirurgjisë në pacientët që kishin kaluar hemoragji cerebrale, si dhe fushën e telemjekësisë. Debejki, bir imigrantësh nga Libani, njihet nga shumë njerëz në botë si kirurgu që bëri bajpasin e parë të suksesshëm në vitet '60. Këtë muaj ai u nderua me Medaljen e Artë të Kongresit amerikan për kontributin e tij në shërbim të njerëzimit. Në vazhdim, një portret i këtij amerikani të shquar:

Kirurgu i njohur i zemrës, Majkëll Debejki, pat operuar mbi 60 mijë pacientë në Spitalin e Universitetit Baylor në Hjuston të Teksasit, por edhe qindra princa, politikanë si dhe njerëz të varfër në vende të ndryshme të botës.

Ky amerikan i lindur thuajse 1 shekull më parë nga prindër, të cilët imigruan nga Libani dhe kishin një farmaci të vogël në qytetin Lake Charles të Luizianës, u bë këtë vit fituesi i 47 i Medaljes së Artë të Kongresit amerikan. Ai iu bashkua listës ku përfshihen laureatë si aktivisti për të drejtat civile Martin Luther King, shpikësi i vaksinës kundër poliomelitit Jonas Salk, dhe shpikësi Tomas Edison. Në ceremoninë e marrjes së çmimit, zoti Debejki tha:

"Pasi mora njoftimin, u mbusha edhe më tepër me krenari për faktin që jam shtetas amerikan. Mendoj se individi në këtë vend ka shanse më të mira për përparim se sa kudo gjetkë në botë, pavarësisht nga origjina, pavarësisht nga niveli financiar i familjes së tij."

Në fëmijëri, Majkëll Debejki ishte nxënës tepër studioz, gjë që nganjëherë e shfaqte në forma krejt të pazakonta, siç vuri në dukje Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi në ceremoninë e dhënies së medaljes:

"E ëma i mësoi të qepte. Ajo nuk do ta kishte imagjinuar në atë kohë se duart e tij të vogla do të shndërroheshin një ditë në instrumentet më të mira të kirurgjisë."

Debejki realizoi në vitin 1964 bajpasin e parë të suksesshëm në botë. Gjysmë shekulli para këtij operacioni, ende në moshë të vogël, i ati i kishte caktuar si detyrë të lexonte një libër në javë. Majkëll ishte ankuar se në bibliotekë nuk e lejonin të merrte një nga vëllimet e Enciklopedisë Britanike. Siç u shpreh Presidenti Bush, i ati e zgjidhi këtë problem duke u blerë fëmijëve të gjithë vëllimet e enciklopedisë, dhe Michael lexoi çdo fjalë të çdo paragrafi në këtë seri.

Por Presidenti vuri në dukje se Michael DeBakey mësoi nga familja e tij edhe rëndësinë e zemërgjerësisë. Familja e kishte zakon të shkonte një herë në javë në jetimore për të dhuruar ushqime dhe rroba. Një ditë ai u shqetësua shumë kur pa se e ëma po dhuronte edhe një nga kapelet e tij të preferuara. Presidenti Bush tregon:

"E ëma iu përgjigj se ai kishte plot kapele të tjera, por këta fëmijë jetimë nuk kishin asnjë. Që nga ai moment Michael DeBakey u angazhua t'i jepte sa më shumë botës."

Ai ndoqi studimet mjekësore në New Orleans. Më pas, kur kishte filluar punë si kirurg dhe profesor, Debejki doli vullnetar për të luftuar në Luftën e Dytë Botërore, ku pa tmerret e fushë-betejës dhe u frymëzua për të projektuar një spital ushtarak ambulant, i cili ka shërbyer për të shpëtuar jetët e mijëra ushtarëve amerikanë në luftrat që pasuan.

Majkëll Debejki u angazhua për ngritjen e sistemit të kujdesit shëndetësor për veteranët amerikanë, mbikqyri operacione për transplantimin e një numër organesh, ngriti fushën e kirurgjisë për të kuruar pasojat e goditjeve cerebrale dhe u bë nismëtar i telemjekësisë duke shfrytëzuar teknologjinë satelitore. Senatori Heri Rid tha se është e pamundur të llogaritet numri i të gjithë personave, të cilëve ai u ka shpëtuar jetën:

"Por të gjithë ne, që jemi sot gjallë, si dhe fëmijët dhe nipat tanë dhe çdo brez që vjen pas, jemi një provë e gjallë e punës së Dr. Majkëll Debejki."

Vetë zoti Debejki u pat shprehur se arritjet e jetës së tij mund të përmblidheshin në një fjalë të vetme: Përsosmëri:

"Megjithëse s'e kam arritur ende atë nivel, gjithë jetën jam përpjekur në atë drejtim."

Kardiologu pionier Majkëll Debejki e konsideronte Medaljen e Artë të Kongresit amerikan si nderimin më të lartë që i bëhej, pasi kjo medalje nderon mbi të gjitha kontributin ndaj njerëzimit. Por ai shtonte se të rinjtë nuk duhet të nxiten nga dëshira për të siguruar lëvdata, por nga kënaqësia që të jep kontributi ndaj komunitetit dhe vendit. Në rastin e Majkëll Debejki .... kontributi që ai dha për mbi 5 dekadash ndaj gjithë njerëzimit. //ad//

XS
SM
MD
LG