Lidhje

Politikat ekonomike të kandidatit Xhon Mekejn


Senatori Barak Obama, i cili pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tha se nuk ka shumë diskutim që ekonomia amerikane ka rënë në amulli. Në një diskutim të gjerë me gazetarët, zoti Obama tha se e ka ndjekur me kujdes gjendjen e firmave të rëndësishme kreditore si Feni Mei dhe Fredi Mak që japin kredi për blerje shtëpish. Zoti Obama u tregua i rezervuar në përgjigjen e tij ndaj pyetjes nëse mbështet idenë e programeve federale për t'i nxjerrë nga problemet këto firma. Këto ishin komentet e para të Senatorit lidhur me dy kompanitë e sponsorizuara nga qeveria, të cilat kanë ndeshur në probleme të mëdha nga borxhet dhe rënia e çmimit të aksioneve.

Ritmet ekonomike jane bërë shqetësuese për shumë amerikanë. Kandidati republikan për president, senatori Xhon Mekejn ka udhëtuar në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe ka biseduar me njerëz rreth problemeve të tyre ekonomike. Gjatë një interviste këtë javë, një këshilltar i lartë i zotit Mekejn, ish senatori i Teksasit Fill Gram, i quajti Shtetet e Bashkuara, "komb ankuesish", duke i kritikuar amerikanët që janë të pakënaqur me ekonominë.

Shumë në Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar nga çmimet e larta të ushqimit dhe karburantit si dhe shkurtimi i gati 500 mijë vendeve të punës. Senatori Mekejn u takua me votuesit në disa zona të Shteteve të Bashkuara që janë goditur më rëndë nga rënia ekonomike.

Njerëzit janë goditur rëndë, tha senatori.

Por një nga këshilltarët e lartë të zotit Mekejn, ish senatori Fill Gram, shprehu një pikëpamje tjetër.

"Keni dëgjuar për depresionin mendor? Ky është recesion mendor."

Zoti Gram, ish-senator është doktor i shkencave ekonomike. Ai theksoi në një intervistë për gazetën Uashington Tajms se vështirësitë ekonomike janë pjellë e imagjinatës së njerëzve.

"Dëgjon gjithmonë njerëzit të ankohen dhe të shprehin pakënaqësi. Jemi bërë kombi i ankuesve."

Senatori Mekejn e konsideron zoti Gram si një nga këshilltarët e tij të lartë për ekonominë.

"Askush nuk është më i respektuar për çështjet ekonomike sesa Fill Gram."

Por tani senatori po e distancon veten nga zoti Gram.

"Pill Gram nuk flet për mua. Unë flas për vete."

Kandidati i pritshëm demokrat për president, Barak Obama sulmoi zotin Gram.

"Kemi nevojë për dikë që të zgjidhë problemet ekonomike. Kjo nuk është pjellë e imagjinatës."

Këta votues janë dakord.

"Mendoj se gjendja e ka kaluar imagjinatën tonë. E kemi përpara syve dhe kemi nevojë për ndihmë."

"Përse po ankohemi? Çmimet e larta ushqimore, çmimi i qumshtit dhe vezëve."

"Është reale. Nuk është mendore."

Senatori Mekejn kishte përmendur zotin Gram si sekretar të mundshëm të thesarit në administratën e tij. Por tani ai thotë...

"Mendoj se Senatori Gram do të konsiderohet seriozisht për postin e ambasadorit në Bjellorusi, megjithëse nuk jam i sigurtë nëse qytetarët e Minskut do ta mirëprisnin." //bsa//

XS
SM
MD
LG